Sulmet që iu bënë të birit nga portalet dhe rrjetet sociale, Rexhep Meidani i konsideron pasojë direkte e diskutimeve se ai mund të ishte kryeministri i ardhshëm i një qeverie teknike dhe për këtë ai cilëson si ideator kryeministrin Rama.
Në një status në rrjetet sociale, Meidani iu është përgjigjur shkrimeve që i quan “gazra me erë” dhe “gëlbaza me qelb, të prodhuara nga të brendshmet e tyre”. “Më rezulton se ky lloj shëmtim-frymëzimi ka ardhur, jo vetëm sot por dhe më parë, nga sipër, me direktiva të KQ-së së sotme” shkruan Meidani, që ata që janë lart i konsideron mendje të sëmura të politikës, të cilat kështu shmangin psikiatrinë dhe një kurë të dytë, miellin e bardhë.
STATUSI I REXHEP MEIDANIT NE FACEBOOK
Të dashur miq! Këto ditët e fundit vapa e nxehtë i ka çoroditur disa mendje të sëmura të politikës dhe medias për rreth, që, duke evituar shtrimin në spitalin psikiatrik, krahas miellit të bardhë, si ilaç të dytë për sëmundjen e tyre të pashërueshme kanë gjetur nxitjen, urdhërimin dhe ekzekutimin e një fushatë të shëmtuar sulmi ndaj të ndryshmëve. Dhe, natyrisht, midis këtyre të ndryshmëve jam edhe unë e familja ime, sidomos kur në media, me arsye pa arsye, u hodh ideja për qeveri teknike, edhe pse e palidhur me ndonjë pohim apo pretendim timin. Ata, me anë të Merrove dhe Zorrëve të tyre, kanë hedhur dhe po hedhin në eter gazra me erë dhe po pështyjnë ku të mundin gëlbaza me qelb, të prodhuara nga të brendshmet e tyre. Më tej si specialistë të paguar të medias sociale, shpifjet e tyre i kanë amplifikuar e pompuar më tej nëpër portale e blogje pseudonimesh e “komentuesish shumë-emërorë”, dhe ata të paguar ose me ilaç të bardhë, ose me para të thata nga fondi rezervë, në funksion të lëvizjes “të bëfsha gjeneratën”(!)…
Nuk kisha ndërmend të reagoja, siç dhe nuk kam reaguar deri tani ndaj një paturpësie të tillë, sepse kam bindjen, por dhe kam besuar e besoj se nuk ia vlen të harxhosh qoftë dhe një mili-kalori për çoroditjet apo pisllëqet e këtyre shëmtirave të turpshme të tranzicionit shqiptar. Veçse po më rezulton se ky lloj shëmtim-frymëzimi ka ardhur, jo vetëm sot por dhe më parë, nga sipër, me direktiva të KQ-së së sotme! Kot nuk thotë populli që “peshku qelbet nga koka”. Dhe kjo është një e keqe shumë e madhe! Ky është kulmi i poshtërisë njerëzore në një sistem të ashtuquajtur demokratik, aq më keq për të imituar në sjelljen drejtuese ndaj njerëzve gjarprin që “ecën dhe fshin gjurmët me bisht”. Prandaj dhe reagova, sepse me këtë lloj “poshtërsie politike-mediatike” nuk mund të ecet më tej. Madje, më keq, as emancipimi shoqëror, as demokracia funksionale! Ajo duhet goditur e shkulur në rrënjë, “në kokë e në bisht”. Madje, sa më shpejt, aq më mirë! Dhe, kjo shkulje rrënje, heqje koke e bishti, është sa civile, po aq dhe politike-patriotike, dhe për këtë secili mund e duhet të japë kontributin e tij qytetar…