Qeveria shqiptare miratoi një Akt Normativ të publikuar të premten (29 korrik) në Fletoren Zyrtare, në të cilin parashikohet ulje e planit të të ardhurave me 4.4 miliardë lekë, (31 milionë euro) uljen e shpenzimeve me 3.1 miliardë lekë dhe rritjen e deficitit buxhetor me 1.3 miliardë lekë në krahasim me planin fillestar të këtij viti.
Qeveria e ka bërë të zakonshme të ndryshojë buxhetin me Akt Normativ, një instrument ligjor që shmang debatet në parlament dhe kriteret e detyrueshme të transparencës në lidhje me ndryshimet ligjore dhe si zakonisht, e miratoi ndryshimin pa e publikuar atë në kryeministria.al, ku publikon zakonisht vendimet e qeverisë dhe projektligjet me nismë nga Këshilli i Ministrave.
Plani i të ardhurave buxhetore parashikohet në këtë Akt Normativ në masën 414.5 miliardë lekë nga afro 419 miliardë që qe parashikuar në ligjin për buxhetin e shtetit 2016. Shpenzimet u përcaktuan në Akt Normativ në masën 450.2 miliardë lekë, nga 453.3 miliardë që qenë përcaktuar në ligjin e buxhetit. Deficiti buxhetor u rrit nga 34.4 në 35.7 miliardë lekë.
Ditën e vendimit për shkurtimin e buxhetit, qeveria njoftoi gjithashtu vendimin për të indeksuar pensionet në masën 1.6 për qind, gjë që do të thotë se pensionistët do të marrin në vlerë reale të njëjtën shumë që kanë marrë edhe më parë, pasi indeksimi mbulon vetëm masën e rritjes së çmimeve të konsumit.
Nga ana tjetër, edhe për këtë vit, sektori publik nuk do të marrë rritje page dhe as indeksim, gjë që do të thotë se të ardhurat e tyre reale do të jenë më të ulëta se sa një vit më parë. Që prej tre vitesh, qeveria ka ndërprerë rritjen e pagave të sektorit publik si pjesë e planit për të reduktuar deficitin buxhetor dhe ulur borxhin publik.
Për shkak se qeveria nuk ka publikuar relacion mbi aktin normativ, është e paqartë se për çfarë arsyeje është kryer ndryshimi në të ardhura dhe shpenzime.
Ndryshimet në planin e të ardhurave dhe shpenzimeve janë relativisht të vogla. Të ardhurat parashikohen të ulen me 1.1 për qind ndërsa shpenzimet me 0.7 për qind. Vitin e kaluar, qeveria e uli planin e të ardhurave në mes të vitit me 4 për qind dhe shpenzimet me 3.4 për qind.
Të ardhurat e qeverisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit kanë qenë në përputhje me planin, por parashikimi i të ardhurave muaj pas muaji ka një anësi nga gjysma e dytë e vitit, kur të ardhurat duhet të jenë ndjeshëm më të larta se sa gjatë gjysmës së parë për të realizuar planin/ Gjergj Erebara, BIRN