Familjarët denoncojnë arrestimin e një 30 vjeçari me detyrë asistent pedagog në universitetin “Zirve” afër Ankarasë në Turqi.
Një telefonatë e miqve të 30 vjeçarit nga Turqia ka informuar familjarët me banim në një fshat afër Cërrikut për arrestimin e Marjus Hoxhës ditën e djeshme pranë zyrave të Universitet dhe mbajtjen e tij në paraburgim për akuzën se ka lidhje me lëvizjen Gyleniste.
Të afërm të Hoxhës kanë kontaktuar në redaksinë e Ora News për të kërkuar ta bëjnë publike lajmin e arrestimit dhe shqetësimin që kanë ata për fatin e Marjus Hoxhës.
“Kemi kontaktuar me ambasadën shqiptare në Turqi e cila na ka informuar për arrestimin por nuk na ka dhënë asnjë detaj më shumë”, thanë ata për redaksinë e Ora News
Familjarët janë të shqetësuar pasi djali i tyre nuk ka lidhje me lëvizjen politike. Edhe 30-vjeçari i ka deklaruar avokatit të tij se nuk ka lidhje me lëvizjen Gyleniste. Ndërkohë rreth orës 19: 40 (26 korrik) familjarët thonë se avokati ka konfirmuar se ndaj 30 vjecarit është marrë masë e arrestit burg.
Ora News kontaktoi me telefon me ambasadën shqiptare në Turqi e cila konfirmoi arrestimin e tij duke shtuar se është në pritje të vendimit.
“E dimë rastin. Po zhvillohet gjyqi dhe jemi duke e ndjekur. Jemi në komunikim me avokatin e tij dhe po presim vendimin e Gjykatës” thanë burimet pranë ambasadës
Në Turqi janë ndërmarrë një valë arrestimesh dhe shkarkimesh nga puna për akuzën se kanë lidhje me lëvizjen Gyleniste./Ora News