Nga Boldnews.al
Një gjyqtare e Gjykatës së Lartë është pezulluar nga detyra ndërsa për bashkëshortin e saj është lëshuar një urdhër arresti pasi dyshohen si të përfshirë në një skemë korruptive.
Sipas prokororisë bëhet fjalë për gjyqtaren Majlinda Andrea dhe bashkëshortin e saj Odhise Andrea të cilët dyshohet se kanë marrë një shumë prej 50 mijë euro për një vendim gjyqësor.
Bashkë me ta urdhër arresti është lëshuar edhe për tre persona, dy prej tyre palë në gjykimin për të cilin janë dhënë lekët ndërsa personi i tretë është sekseri që ka dhënë lekët.
Masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre. Dyshohet se hetimi ndaj gjyqtares dhe bashkëshortit të saj është dekonspiruar.
Ndërkohë, janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.
Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea.
Ky i fundit punon si keshilltar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.
Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. I dyshuari Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea. Ky i fundit është bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit Çabiri në Gjykatën e Lartë.
Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, i dyshuari Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë euro.
Në fakt, këtë shumë, i dyshuari Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, shtetasit Odhise Andrea, me qëllim dhënien e vendimit në favor të të dyshuarve Çabiri dhe Lino.
Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.
Ky cilësohet si skandal i radhës në nivelin më të lartë të trupës gjyqësore, në një kohë kur politika po mundohet të realizojë një reformë në drejtësi me ndihmën e ndërkombëtarëve.