Qeveria shqiptare është duke zhvilluar bisedime diskrete me Athinën dhe Romën për çështjen e refugjatëve sirianë. Siç raportohet në mediat greke dhe italiane, kalimi i tyre nëpërmjet Shqipërisë po bëhet i pashmangshëm.
Qeveria greke njoftoi se do të fillojë vendosjen e refugjatëve të parë sirianë, vetëm pak kilometra nga kufiri me Shqipërinë. Të paktën 70 mijë pritet të jenë të bllokuar në Greqi në muajt në vazhdim, ndaj qeveria helene ka filluar të mendojë shpërndarjen e tyre.
Katër qendrave “hot spot” do të ngrihen në Filipiadha, në Igumenicë dhe në dy reparte ushtarake në Janinë. Edhe në Kostur, Follorinë dhe Ptolemaidha filloi puna për krijimin e ambienteve me kapacitet deri në 5.000 vetë.
Por një burim nga organizata Mjekët pa Kufij tha për Top Channel se është njoftuar të hapë tre pika të ndihmës së parë për refugjatët në kufirin me Shqipërinë, në Qafë Botë, në Kakavijë dhe Kapshticë.
Burime të Ministrisë së Jashtme greke thonë se, edhe në nivel politik vazhdojnë negociatat me qeveritë e vendeve fqinje për vendosjen në Shqipëri dhe Bullgari të një numri të caktuar emigrantësh, nga 10 deri në 15 mijë për çdo vend.
I njëjti burim saktësoi se pala shqiptare nuk ka kthyer përgjigje negative, ndërsa kryeministri bullgar ka rënë dakord në parim për të ndihmuar Greqinë në përballjen e krizës humanitare që po afron. Por edhe Roma zyrtare vazhdon të jetë e shqetësuar për këtë problem.
Ndryshe nga sa u paraqit një ditë më parë në deklaratat zyrtare të qeverisë shqiptare, se Sandro Gozi, nënsekretar i qeverisë italiane për çështjet europiane bisedoi në Tiranë vetëm për çeshtjet e integrimit, mediat italiane thonë se ai ishte i dërguari i posaçëm i kryeministrit Renzi për të përgatitur në Tiranë një plan emergjence nëse nisin vërshimet në masë të refugjatëve drejt Italisë.
Sipas mediave italiane, gjatë takimeve jozyrtare të zotit Gozi me kryeministrin shqiptar Rama dhe kryetarit të Parlamentit Meta është folur për të formalizuar një memorandum mirëkuptimi në ditët e ardhshme për të lehtësuar më tej shkëmbimin e informacionit dhe të forcimit të bashkëpunimit operacional. Italia më parë vendosi që të pranojë Shqipërinë në patrullat detare, si pjesë e operacionit “Triton”, por edhe për të kontrolluar kufijtë tokësorë në vijën e gjelbër me Greqinë.
Pak ditë më parë, prokurori i Leçes i tha mediave se, në malet e Greqisë me Shqipërinë janë gati 25 mijë refugjatë sirianë dhe qeverisë italiane i duhet të hyjë në bisedime të shpejta me qeverinë shqiptare për zgjidhjen e problemit.