Opozita do të protestojë më 25 maj para godinës së Kryeministrisë për të kërkuar largimin e Edi Ramës nga posti qeveritar dhe krijimin e një kabineti tranzitor që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
E gjithë vëmendja e strukturave opozitare është përqëndruar në organizimin e kësaj proteste, e cila është e 5-ta kombëtare që thirret nga opozita prej 16 shkurtit, ndërkohë që në total janë organizuar mbi 13 protesta, përfshi edhe ato të bllokimit të akseve rrugore.
Por çfarë do të ndodhë pas 25 majit nëse Edi Rama nuk dorëhiqet ose largohet?
Burime nga opozita konfirmojnë se protestat kombëtare do të bëhen të përjavshme, ku do t’i kërkohet qytetarëve që të mblidhen të Tiranë dhe të protestojnë.
Paralelisht do të organizohen protesta në qytetet kryesore, ndoshta 3-4 të tilla njëherësh, duke intensfikuar në këtë mënyrë aksionin opozitar.
Burimet bëjnë të ditur se gjithashtu do të aplikohen format e mosbindjes civile të bllokimit të akseve rrugore për një kohë të pacaktuar, ndërkohë që deri më tani janë aplikuar bllokime rrugësh për 1 apo 2 orë.
Në kushte të tilla opozita duket e vendosur të çojë deri në fund aksionin e saj opozitar për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi po përballet edhe me një presion të rritje të mediave ndërkombëtare që po zbardhin lidhje të strukturave apo individëve me pushtet me organizata, grupe, apo individë me rekorde kriminale.