Trajtimi spitalor, mbetet një nga çështjet më të ndjeshme, sidomos kur bëhet fjalë për raste me përfundim tragjik. Një reagim i Spitalit Rajonal Korçë ka ardhur lidhur me rastin e transmetuar në një emision investigativ. “Fiks Fare” denoncoi kushtet e urgjencës së spitalit rajonal të Korçës dhe veprimet e punonjësve të saj.
Reagimi
Lidhur me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme (e hënë) nga një emision investigativ për trajtimin e pacientit me inicialet S.T, Spitali Rajonal Korçë i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe sqaron edhe një herë familjarët e të ndjerit dhe opinionin publik, si vijon:
Pacienti është vizituar ne orën 13:45 në datën 31.03.2019 (nr.regjistri 5745), pas ankesës për dhimbje veshkash prej një jave por që atë ditë i është shtuar më shumë për shkak të zbritjes së gurit më poshtë. Referuar ekografisë, mjekja S.M. ka trajtuar pacientin me dy qetësues dhe konstatoi se parametrat vitale ishin në normë.
Familjarët kanë lajmëruar përsëri urgjencën në orën 04:25 datë 01.04.2019 (nr.regjistri 5796) dhe pacientit i është bërë një qetësues. Me pacientin është komunikuar dhe vetë ai ka paraqitur si ankesë dhimbjen ndërsa nga familjaret si shqetësim është paraqitur edhe mungesa e oreksit. Pacienti nuk ka patur deficite motore, sensore ose të tjera. Ka qenë orientuar mirë në kohë dhe hapësirë, parametrat vitalë kanë qenë në normë. Në orën 07:50 të mëngjesit lajmërohet përsëri urgjenca dhe nga vizita rezulton që ky shtetas ka qenë me puls të dobët karotid dhe reflekse pothuaj të shuara. Eshtë marë nga shërbimi i urgjencës dhe shtetasi ndërron jetë në bordin e autoambulancës.
Autoambulanca që ka transportuar të ndjerin, është mjet i markës Mercedes Benz, tipi Sprinter, me targa KO 5493 B, i pajisur me oksigjen dhe pajisjet e tjera. Kjo provohet nga regjistri i ditës, pamjet filmike, etj. Në urgjencë i është bërë EKG ku konfirmohet vijë izoelektrike dhe pa shenja jete. Iu është komunikuar familjarëve dhe iu është sugjeruar bërja e ekspertizës mjekoligjore (autopsi) nëse do të kishin rezerva lidhur me shërbimin e ofruar apo me paqartesinë e shkakut te vdekjes por ata nuk kanë pranuar dhe kanë reaguar keq ne momentin e komunikimit të kërkesës tonë për autopsi.
Përsa i përket transportit, autoambulanca që ka bërë transportin e pacientit, është e pajisur me oksigjen dhe barrelë.
Skeda e vdekjes së të ndjerit nuk është plotësuar nga spitali, pasi familjaret kanë refuzuar autopsinë për percaktimin e shkakut të vdekjes. Familjarët i janë drejtuar mjekut të familjes i cili ka plotesuar skedën, bazuar në kartelën e pacientit.