Nga Boldnews.al
Më datë 3 maj të këtij viti, emisioni investigativ “Stop” transmetoi një rast korrupsioni në Drejtorinë e Hetimit Tatimor të Tiranës. Një biznes i cili ishte në shkelje arriti t’i shmangej ndjekjes penale duke paguar rryshfet tek Oficerja e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Tiranë Jolanda Mehfaja dhe drejtori i OPGJ-së në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Ledian Kolgjoka.
Të dy këta zyrtarë përmes aferës korruptive favorizuan një biznes, që i shmangej detyrimeve doganore e tatimore dhe që i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 1.4 milion lekëve.
Por teksa kanë kaluar më shumë se 40 ditë nga investigimi i publikuar, përveç masës administrative të largimit nga puna, Policia e Shtetit dhe Prokuroria nuk kanë kryer asnjë veprim për të çuar para drejtësisë ish zyrtarët e Drejtorisë së Hetimit Tatimor.
Burime për Boldnews.al bëjnë me dije se pas denocimit në emisionin “Stop” më datë 3 maj, Policia e Shtetit ka referuar çështjen disa ditë më vonë. Nuk dihen ende arsyet e kësaj vonese të pajustifikuar në referimin e çështjes edhe pse bëhej fjalë për një rast flagrant korrupsioni.
Nga ana tjetër edhe Prokuroria nuk ka kryer asnjë verifikim, por me të marrë referimin e ka rikthyer çështjen sërish në polici. Boldnews.al mëson se në argumentin e saj, prokuroria i ka kërkuar Oficerëve të Policisë Gjyqësore disa verifikime përkatëse. Nuk dihen se çfarë verifikimesh duheshin bërë pasi video-investigimi tregonte në mënyrë mitmarrjen e zyrtarëve të Hetimit Tatimor.
Pavarësisht kërkesës disi të dyshimtë së Prokurorisë për verifikim, policia nuk ka reaguar deri më sot duke lënë dyshime të forta se këto dy institucione po luajnë ping-pong për të shpëtuar dy ish zyrtarët e akuzuar.
Duke marrë si referencë raste të ngjashme të denoncimeve nga mediat, kjo është hera e parë që Prokuroria dhe Policia pas më shumë se 1 muaji nuk çojnë para drejtësisë zyrtarë të filmuar duke marrë rryshfet.
500 mijë lekë për Oficeren dhe 150 euro për Drejtorin
Video-investigimi i transmetuar në emisionin “Stop” nxorri edhe njëherë në pah brishtësinë e institucioneve për të luftuar korrupsionin. Dy zyrtartë të Hetimit Tatimor të kryeqytetit, ata që duhet të luftojnë korrupsionin në radhët e biznesit, bien pre e marrjes së rryshfetit.
Oficerja Jolanda Mehfaja i ka marrë 500 mije leke për vete dhe 150 euro për Drejtorin e saj Ledian Kolgjoka, pronarit të një biznesi që rrezikonte të ndiqej penalisht. Biseda e filmuar nga kamera të fshehta mes zyrtarëve të Hetimit Tatimor dhe përfaqësuesit të biznesit kalon normat e komunikimit institucional.
Në takimin e parë qytetari dhe OPGJ Jolanda Mehfaja diskutojnë për mënyrën e gjetjes së një zgjidhjeje.
Jolanda Mehfaja OPGJ: “Një deklarim se si me këtë tepricë kreditore si ka operu me NIP-tin, sepse këto subjekte… Ky ka pak mospërputhje, rreth 1 milion e katërqind lekë të vjetra TVSH, që ka deklaruar më pak se sa i kanë ardhur në doganë”.
Jolanda Mehfaja OPGJ: Çuni do të më lesh një numër telefoni ti? Do të marr dhe do të them sapo të grumbulloj dokumentacionin.
Jolanda Mehfaja OPGJ: Në rregull?
Qytetari: Po.
Qytetari: Unë këtu nuk kam asnjë lloji problemi?
Jolanda Mehfaja OPGJ: Të shoh dosjen, të shoh dokumentacionin dhe pastaj…
Jolanda Mehfaja OPGJ: Se nuk jam e qartë se ka dy muaj ky muhabet, kanë shkuar e kanë parë fotografi e të gjitha. Do të marr një ditë tjetër e do të them hajde, në rregull?
Jolanda Mehfaja OPGJ: Rri i qetë. Po të ketë gjë të them, çuni shife.
Në takimin e dytë të qytetarit me Oficeren e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Tiranë thuhet se për të mbyllur këtë dosje kërkohen rreth 80 mijë lekë.
Qytetari: “Afërsisht si shkojnë gjërat?
Jolanda Mehfaja OPGJ: “Shhhh nuk bëj shifra këtu… Dosjen e kam unë… Po ashtu mendoje edhe ti…Hajde për mua je i lirë…”
Qytetari: Të enjten është e sigurtë që mbyllet?
Jolanda Mehfaja OPGJ: Sa t’i jap shefit unë.
Qytetari: Ke edhe 150 euro dhe 500 mijë lekë aty.
Në takimin e tretë përfshihet edhe Drejtori i Hetimit tatitimor Ledion Kolgjoka, i cili premton ta mbylli këtë dosje pasi ka marrë shumën e parave. Në bisedë nuk mungon as ironia ndaj përfaqësuesit të biznesit.
Shefi Ledian Kolgjoka: Nuk e kam të lehtë të të heq nga kjo lista këtu dhe të them: “Jo mo vlla, ky qenka në rregull.”
Shefi Ledian Kolgjoka: Më fal në 20 vetë këtu te Dogana Tatime që ta sollëm ty për hetim, a mos na di gjë për budallenj?
Shefi Ledian Kolgjoka: A e kupton çfarë po të them?
Shefi Ledian Kolgjoka: Meqenëse ti ke ardhur dhe qenke çun i mirë, qenke çun trendy, do ta shohim, se Landa më ka folur shumë pozitivisht.
Shefi Ledian Kolgjoka: Ka dy tre ditë që më thotë dhe unë i thashë që do e shohim, sepse unë që të të heq nga kjo..
Shefi Ledian Kolgjoka: Gjithësesi sensi është pozitiv, meqenëse ti ke ardhur deri këtu..
Jolanda Mehfaja OPGJ: Ti e ke numrin tim, thuaj Landa ne po vijmë…