Boldnews.al
Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Gjin Gjoni, është zgjedhur si President i Rrjetit të KLD-ve të Ballkanit dhe Euro-Mesdheut me një mandat të ri që zgjat deri më 31.06.2017. Me një votë unanime, Gjoni është rikonfirmuar për herë të dytë në krye të kësaj organizate tepër të rëndësishme e cila zhvilloi takimin e radhës në datat 13-14 qershor 2016 gjatë një mbledhje të organizuar në Romë, Itali. Rrjeti i Këshillave të Lartë të Drejtësisë ka vendosur që mbledhjen e radhës ta organizojë në datë 29 qershor deri 1 korrik në Sofie, Bullgari.
Në këtë takim të rëndësishëm ishin të pranishëm edhe kryetari i Gjykatës së Kasacionit Italian dhe zëvendëspresidenti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë italiane Giovanni Legnini.
Më herët, në muajin prill, gjyqtari Gjoni mbajti një fjalim përpara Këshillit Gjyqësor Italian lidhur me çështjen e reformës në drejtësi dhe forcimit të pavarësisë së gjyqësorit në vendet pjesëmarrëse në këtë rrjet.
Për herë të parë gjyqtari shqiptar Gjin Gjoni është zgjedhur si President i Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësor në maj të vitit 2015. Asokohe 11 gjyqtarët ndërkombëtarë i kanë besuar Presidencën Gjin Gjonit.
Pas kësaj në datat 28-29 qershor 2015, në Tiranë u mbajt edhe sesioni i parë i Konferencës së 10-të të Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë nën drejtimin e presidentit Bujar Nishani. Ky takim ishte i rëndësisë së veçantë pasi në përfundim të punimeve, anëtarët e këtij rrjeti votuan pro anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota.
Në këtë rrjet aderojnë këshillat gjyqësorë të 11 shteteve ballkanike dhe euro-mesdheut përfshi dhe Italinë. Këtij rrjeti pritet t’i bashkohen edhe katër vende të tjera europiane, mes tyre; Greqia, Serbia dhe Maqedonia.
Ky bashkëpunim ndërkombëtar i përfaqësuesve të autorizuar të Autoriteteve Rregullatorë Gjyqësore të rajonit të Ballkanit ka filluar në vitin 2006.