Bashkisë së Tiranës i kanë vjedhur…plehrat. Drejtori i Punëve Publike në bashkinë më të madhe të Shqipërisë ka bërë një kallëzim të rrallë në zyrat e Policisë dhe të Prokurorisë.
Taulant Tusha, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës ka dorëzuar pak ditë më parë një kallëzim, në bazë të të cilit kërkon nga autoritetet ligjzbatuese të zbulojnë dhe të vendosin para përgjegjësisë penale personat që vjedhin mbeturinat në koshat përkatës të shpërndarë në rrugët e kryeqytetit.
“Boldnews.al” ka siguruar kallëzimin, në bazë të të cilit Bashkia e Tiranës prezanton shqetësimin se, në mënyrë të vazhdueshme konstohet VJEDHJE nëpër kontenierët rrugorë të depozitimit të mbeturina, nga persona të paidentifikuar.
Po ashtu, në kallëzimin e saj, Bashkia Tiranë konstaton se këta persona që vjedhin mbeturinat, përdorin disa mjete jashtë standartit për përdorimin e rrugëve, të cilat përbëjnë shkak për aksidente rrugore, si edhe krijojnë konflikte me operatorët e autorizuar për mbledhjen e mbeturinave.
Në këtë kallëzim, Bashkia e Tiranës prezanton edhe një shqetësim të tretë; në shumë raste, autoriteteve lokale iu është nevojitur ndërhyrja për shuarjen e zjarreve në këto kontenierë, të cilët ndizen nga këta persona që vjedhin mbeturinat.
Dhe shqetësimi i fundit, i cili është më normali, është fakti që, me afrimin e stinës së nxehtë të verës, përhapja e mbeturinave mund të shërbejë si vatra infeksioni si për “hajdutët e mbeturinave”, ashtu edhe për pjesën tjetër të banorëve.
Duke renditur të gjithë këto shqetësime, Bashkia Tiranë kërkon nga policia dhe prokuroria të evidentojë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore personat që vjedhin mbeturinat, duke iu referuar edhe disa neneve të Kodit Penal dhe Kodit Rrugor. Për Bashkinë e Tiranës, këta persona duhet të ndiqen penalisht për veprat: “Vjedhje”, “Shkatërrim prone me zjarr”; dhe “Ndotje e ajrit”, parashikuar nga nenet 134, 151 dhe 201 të Kodit Penal; si edhe neneve 52 dhe 53 të Kodit Rrugor.
Në kallëzimin e saj, Bashkia e Tiranës sjell në vëmendje të autoriteteve hetimore se, në bazë të ligjit nr. 8094/1996, neni 2, përcaktohet se: “..të gjitha llojet e mbeturinave…, pas dorëzimit të tyre, janë pronë shtetërore” (në rastin konkret, të Bashkisë Tiranë).
Është e qartë se kallëzimi kërkon që policia të identifikojë personat, kryesisht të pakicës etnike rome, si edhe persona në varfëri ekstreme, të cilët kërkojnë në kontenierët e mbeturinave ushqime që mund t’i përdorin ose pajisje plastike e metalike, të cilat më tej i shesin në ndërmarrjet e vogla të riciklimit. Ky vrull ndaj këtyre personave është evidentuar edhe më parë, në kohën kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulëzim Basha. Në atë kohë, punonjës të Policisë Bashkiake ndërmorrën disa aksione serioze, kryesisht kundër romëve që mblidhnin mbetje plastike. Në media, në atë kohë, janë prezantuar pamje dhe foto groteske, ku dalloheshin furgonë të Policisë Bashkiake, të mbushur me bidona plastikë. I gjithë ky mall i sekuestruar nga bashkiakët, në atë kohë depozitohej në një fabrikë përpunimi në periferinë perëndimore të Tiranës. Opozita e asaj kohe e lidhte sulmin kundër ‘aktivitetit të paligjshëm” të romëve me një aferë klienteliste. Sipas opozitës së asaj kohe, Policia Bashkiake mblidhte bidonët plastikë, të cilat më pas i dorëzonte tek një kompani private riciklimi, e afërt me kryebashkiakun e asaj kohe.
Mesa duket, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Romët e kontenierëve do të jenë sërish objekt kontrolli të imtësishëm nga policia. Kjo, për shkak të kallëzimit të ditëve të fundit të Bashkisë së Tiranës.