Kryebashkiaku Erjon Veliaj ka komentuar protestën e zhvilluar dje nga opozita, ndërsa sot ka organizuar festime në Tiranë, në kuadër të Ditës së Verës që u festua më 14 mars.
Veliaj ka falenderuar qytetarët e Tiranës, që sipas tij u distancuan nga aktet e dhunës, duke shtuar se qyteti nuk e pranon bulizmin dhe dhunën.
Në mesazhin e tij, Veliaj ka parapëlqyer të bëjë një ndasi mes qytetarëve që i konsideron të Tiranës dhe atyre nga rrethet, që sipas tij shkaktuan edhe dhunën në kryeqytet.
“Unë dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që dje u distancuan nga aktet e dhunës, të zjarrit, të hurit dhe litarit dhe sot demonstrojnë atë që Tirana është vërtet. Tirana përtej të majtës dhe të djathtës, përtej PD dhe PS e do jetën e do shtetin, e do artin dhe kulturën.
Ndaj dhe për këtë Tiranë edhe për fëmijët e këtij qyteti, që nuk ka fare rëndësi çfarë bindjesh kanë prindërit, po në këtë qytet punohet njësoj për të gjithë. Ndaj mesazhi që japim për Ditën e Verës është hajde të fokusohemi tek gjërat që na bashkojnë, hajde të fokusohemi tek një Tiranë që po bën progres, hajde të fokusohemi tek dashuria, paqja dhe jo për tu përçarë dhe dhunuar një qytet që mezi ne e ndërtojmë.
Qyteti nuk e pranon bulizmin, nuk e pranon dhunën, pavarësisht se nga cili qytet vijnë. Për të gjitha ata që erdhën dje për ekskursion në Tiranë, unë u bëj një pyetje: Sa mirë pastrohet qyteti nga vini Burreli, Kamza, Paskuqani, Shkodra, Lezha, Pogradeci? Sa mirë janë kopshtet dhe shkollat në qytetin prej nga vini për të dhunuar Tiranën”, tha Veliaj.