Ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, përmes një komenti në rrjetet sociale, shkruan se shqiptarët e fituan lirinë pasi u ngritën vetë në këmbë dhe mbushën sheshet.
“”Nga pikëpamja juridike”, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që i ka provuar të gjitha maskarallëqet “juridikisht korrekte” të shekullit të 20-të: edhe “A Noi”, edhe “Sieg Heil”, edhe “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”, shkruan Strazimiri.
Komenti nga Gent Strazimiri
“Nga pikëpamja juridike”, zgjedhjet e vitit 1925 në Itali i fitoi Musolini dhe fashistët dhe, po ashtu, “nga pikëpamja juridike” deputeti antifashist Giaçomo Matteoti që i denoncoi si “të vjedhura”, humbi jetën aksidentalisht, ndërsa fashistët e rrihnin me leva hekuri…
Pas kësaj, parlamenti legjitim fashist, “nga pikëpamja juridike”, votoi për të nxjerrë jashtë ligjit të gjitha forcat e tjera politike. Parlamenti, “nga pikëpamja juridike” u mbush me deputetë që pranuan të veshin këmishën e zezë dhe formula e betimit “nga pikëpamja juridike” ndryshoi në: A Noi!
Në 7 prill 1939, “nga pikëpamja juridike” Shqipëria nuk u pushtua nga Musolini. Jo!
Nga pikëpamja juridike” Shqipëria ndërroi vetëm kreun e shtetit nga Ahmet në Vittorio, realizoi “bashkim personal” me dinastinë Savoja duke ruajtur pavarësinë, përmes një votimi në parlamentin shqiptar, ku ata që refuzuan të paraqiten u zevendesuan në mënyrë “juridikisht korrekte”, dhe më pas u internuan në Ventottenne!
“Nga pikëpamja juridike” u pranua ndërkombëtarisht, dhe çdo shtet me të cilin kishim lidhje diplomatike, njoftoi në mënyrë shumë të sjellshme ambasadorin shqipëtar të akredituar, se nuk e njihte më si përfaqësues të Shqipërisë.
Në vitin 1933, “nga pikëpamja juridike”, Hitleri ishte kancelari i zgjedhur nga një parlament legjitim gjerman, i cili, po ashtu, “nga pikëpamja juridike”, votoi për shpërndarjen e të gjitha forcave politike, sepse demokracia në Gjermani dëmtonte “stabilitetin”.
Parlamenti legjitim, “nga pikëpamja juridike”, u plotësua me deputetë që pranuan të veshin këmishën e murrme dhe formula e betimit, “nga pikëpamja juridike”, ndryshoi në: Sieg Heil!
“Nga pikëpamja juridike”, në tetor 1943 trupat e Hitlerit kishin nevojë për një rrugë kalimi që të ktheheshin në shtëpi…
“Nga pikëpamja juridike” e morën përmes një votimi në një asamble të mbledhur edhe për këtë qëllim, e ku votuan goxha burra, ata më në zë, më të përmendurit, por që nuk i kish zgjedhur kush sepse kishim që në 1939 “nga pikëpamja juridike” kishim të njëjtin sistem “zgjedhjesh” që Mussolini kishte imponuar “nga pikëpamja juridike” në Itali…
Në 1945 zgjedhjet në Shqipëri i fitoi Enver Hoxha, dhe, “nga pikëpamja juridike”, misioni vëzhgues i UNRA-s në raportin përkatës shkroi se: megjithë problemet që pati, zgjedhjet ishin të lira, populli me shumicë do Enver Hoxhën, askënd tjetër, kështu që parlamenti, “nga pikëpamja juridike”, është legjitim.
Parlamenti i Enver Hoxhës i dalë nga këto zgjedhje të çertifikuara ndërkombëtarisht, “nga pikëpamja juridike” arrestoi të gjithë deputetët e deklaruar në opozitë dhe i pushkatoi me një proces, “nga pikëpamja juridike”, të rregullt dhe formula e betimit ndryshoi në: Parti-Enver, jemi gati kurdoherë!
“Nga pikëpamja juridike”, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që i ka provuar të gjitha maskarallëqet “juridikisht korrekte” të shekullit të 20-të: edhe “A Noi”, edhe “Sieg Heil”, edhe “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”.
Shqipëria ka edhe një shprehje që e ilustron më së miri këtë eksperiencë intensive “nga pikëpamja juridike”: të gjithë derrat kanë një turi!
Shqipëria e ka provuar që zgjidhja t’i vijë nga lajmet e ” BBC”, “Zeri i Amerikës” , “Radio Vatikanit” , “Evropa e Lirë” , por zgjati 46 vite të përgjakshme edhe “nga pikëpamja juridike”, e në fund fitoi lirinë pasi u ngrit në këmbë vetë e mbushi sheshet.
Një gjë s’kuptohet gjithësesi: përse këto analiza dhe përkujdesje ” nga pikëpamja juridike” nuk i bëjnë në vendet nga vijnë?
Mbase sepse një “përkujdesje” e tillë, me të tilla argumente i çon urgjent në kokërr të burgut për “mohim e legjitimim të diktaturës nazi-fashiste”, dhe kjo krejtësisht nga pikëpamja strikt juridike në kuptimin penal të fjalës