Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos pranojë për shqyrtim kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për mandatin e deputetes socialiste Valentina Leskaj.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e disponuar nga Boldnews.al, kërkesa për Leskajn nuk plotëson kushtet për të vënë në lëvizje gjykatën, pasi nuk ka juridiksionin për shqyrtimin e çështjes.
Kolegji vlerëson se në rastin konkret nuk plotëson kushtet për vënien në lëvizje të gjykatës, në kuptim të përmbajtjes se nenit 70/4 të Kushtetutës, për rrjedhojë shqyrtimi i kërkesës së paraqitur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë arsye, si përfundim, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese në bazë të nenit 31 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, për Organizimin dhe funksionimin Gjykatës Kushtetuese vendosi “moskalimin e cështjes për shqyrtim në seancë plenare
Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, njëkohësisht nënkryetare e Kuvendit, më herët i është drejtuar me një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku i kërkon që çështja e mandatit të saj të shkojë për interpretim në Gjykatë Kushtetuese.
Kjo, pas kërkesës së opozitës, e cila ka kërkuar heqjen e mandatit të saj. PD pretendon se Leskaj është në konflikt interesi, pasi djemtë e saj biznesmenë kanë përfituar tenderë nga qeveria.
Gjykata Kushtetuese pritet që në ditët në vijim të vendosë edhe fatin e deputetit tjetër socialist Rakip Suli, i akuzuar nga opozita për përfitim të fondeve publike.