Prokuroria e Kolumbisë kërkon të dhëna nga homologët e tyre shqiptarë mbi rolin dhe aktivitetin e dy shtetasve kolumbianë, të cilët u arrestuan bashkë me disa shtetas shqiptarë në operacionin “Xibraka”. Një prokurore speciale kolumbiane, Y. Martinez, zhvilloi të mërkurën një takim me drejtues dhe prokurorë të çështjes tek Krimet e Rënda, ku u njoh me provat e autoriteteve shqiptare në ngarkim të Cesar Avila dhe Valther Moreno.
Të kontaktuar zyrtarisht nga “Boldnews”, Prokuroria për Krime të Rënda nuk pranoi të japë asnjë koment mbi takimin dhe diskutimet me homologët kolumbianë. Dy shtetasit kolumbianë u arrestuan në dt. 14.01.2015, në brendësi të një ish-magazine, të shndërruar në laborator përpunimi të lëndës narkotike kokainë, në Xibrakë, pranë Elbasanit. Së bashku me dy shtetasit kolumbianë, u arrestuan edhe disa qytetarë shqiptarë, pjesë e një grupi të organizuar që dyshohej se sillnin në Shqipëri kokainë të papërpunuar dhe pasi e pastronin, e dërgoni në tregun ilegal gjerman.
Tashmë që Prokuroria për Krime të Rënda deklaron se është në fazën e mbylljes së hetimeve, roli i dy kolumbianëve në këtë grup kriminal ka ngjallur interes edhe për autoritetet hetimore të vendit të tyre. Në operacionin “Xibraka”, të drejtuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacionit paraprak të sjellë nga autoritetet gjermane, Policia konstatoi se magazina shërbente për të fshehur një laborator për transformimin dhe përpunimin e substancave që kishin përmbajtje kokaine, të cilat pas kalimit në procese kimike përmes ndërhyrjes së prokurorëve dhe substancave të tjera kimike, dilnin në një produkt përfundimtar që ishte lënda narkotike e dyshuar si kokainë e gatshme për t’u hedhur në treg.
Në magazinë, u sekuestrua një peshore, një sasi prej 436 gram e cila kishte karakteristikat e kokainës. Gjithashtu, të futura në qese apo thasë, u sekuestrua edhe një sasi tjetër lënde pluhur me ngjyrë të bardhë, të përshkruara në detaje në këqyren e magazinës. Gjithashtu, u sekuestrua e futur në tre thasë një sasi me pluhur të kuqërremtë. I njëjti pluhur u gjend edhe në 30 qese plasmasi. Në fuçi apo enë të ndryshme u gjetën edhe sasi të lëndësh kimike në gjendje të lëngshme apo tretësira, të cilat dyshohet se përdoreshin për procesin e përpunimit të substancës bazë ku ndodhej kokaina. Në vijim të operacionit, krahas dy kolumbianëve që u gjendën në magazinë, u arrestuan edhe shtetasit shqiptarë Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj, Kelmend Dalipi, Arjan Dalipi, Sajmir Batku, Ermal Hoxha dhe Kastriot Imeri.
(Boldnews)