Redjan Rraja, është arrestuar nga policia e Tiranës pasi dyshohet se ka prishur provat në vendin e ngjarjes ku u vra Elton Çiço.
Sipas policisë bëhet fjalë për 31 -vjeçarin, banues në Krujë , i cili akuzohet për prishje të vendit të ngjarjes. Ai ishte në tavolinë bashkë me gazetarin Spartak Koka dhe Elton Çiçon.
Policia e Tiranës ka shoqëruar 29 persona lidhur me vrasjen e 36-vjeçarit, Elton Çiço, mbrëmjen e së dielës në kryeqytet.
Policia:
“Më datë 01.05.2016, rreth orës 22:10, në rrugën ”Gjin Bue Shpata”, në ambjentet e lokal ”Bar Kafe Deniro”, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Elton Çiça, 36vjeç, banues në Tepelenë, i cili ka humbur jetën gjatë trasportimit për në spital. Shtetasi Elton Çiça, ka qënë në shoqërinë e shtetasve: A. T., S. K. dhe shtetasi Redjan Rraja, 31 vjeç, banues në Krujë, i cili u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, parashikuar nga Neni 301 i Kodit Penal. Në momentet që këta shtetas kanë qënë duke qëndruar, në lokal ka hyrë një shtetas i cili është afruar drejtë shtetasit Elton Çiça, duke e qëlluar tre herë me armë zjarri”.
Një ditë më parë, zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Ermal Muça, tha se janë shoqëruar 29 persona për vrasjen.
“ Janë shoqëruar 29 persona për ngjarjen. Ka dhe një të arrestuar për këtë ngjarje me akuzën për prishjen e vendit të ngjarjes, një nga personat që ka qenë në tavolinë me zotin, Spartak. Janë bërë disa veprime që normalisht kanë lëvizur gjërat nga vendi i ngjarjes me dashje mendojmë ne. Kemi marrë një vendim bashkë me Prokurorin që personi duhet të arrestohej në flagrancë për këtë vepër penale”.
Dy janë pistat sipas tij në të cilat po heton policia.
“Mund të jetë dhe vrasës me pagësë normalisht, mund të jetë dhe person që.. Ne kemi dy pista hetimi, janë pista të mira dhe jemi goxha në rrugë të drejtë. Janë hetime dhe duan kohë. Është vrasje profesioniste, nuk mund të zbulohet një ngjarje për 24 orë”.