Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i drejtuar nga Ardian Çela është përfshirë në një skandal të paprecedent për një institucion që konsiderohet si “Bleta Punëtore” e Vitit nga Kryeministri i Vendit.
Vetë z.Çela është nën hetim nga prokuroria për tenderin e palmave në qytetin e Durrësit gjatë kohës që ishte zv.kryetar i Bashkisë së Durresit. Nga tenderat e palmave, tashmë ai është bërë administratori i suksesshëm i OSHEE. Por ka vetëm një problem: Punonjësit e OSHEE pohojnë se nuk kanë naftë për të lëvizur për riparimin e defekteve qoftë dhe brenda qytetit të Tiranës.
Përgjatë ditës së sotme shumë zona të qytetit të Tiranës kanë mbetur pa energji elektrike. OSHEE jo vetëm që nuk ka bërë asnjë njoftim për ndërprerjen e energjisë, por ende nuk ka marrë asnjë masë për riparimin e defekteve. Nuk dihet ende se çfarë po i ndodh Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë pasi dhe vetë drejtuesi i saj i suksesshëm nuk ndodhet në Shqipëri. Ndoshta po viziton vendin nga ku duhet të ishin importuar palmat e mbjella në Durrës por që në fakt nuk rezultojnë të jenë importuar asnjëherë.
Pavarësisht arsyeve të udhëtimit të z.Çela jashtë vendit, banorë të shumë lagjeve të kryeqyteti janë duke vuajtur mungesën e energjisë elektrike. Boldnews.al ka kontaktuar me disa banorë të cilët thonë se kanë njoftuar punonjësit e OSHEE për mungesën e energjisë, por nuk kanë ende një zgjidhje prej tyre. Në disa raste punonjësit kanë deklaruar se e kanë të pamundur të lëvizin për riparimin e defekteve pasi nuk kanë naftë në automjetet e tyre.
Një banor i zonës së “Ali Demit” i tha Boldnews.al se mbrëmjen e së dielës ai është detyruar të kontaktojë punonjësit e OSHEE për riparimin e defektit në lagjen e tij. Por përgjigja e tyre ka qenë: E kemi të pamundur lëvizjen, pasi nuk kemi naftë.
Banori i cili nuk dëshiron të identifikohet thotë se ka shkuar pranë nënstacionit që mbulon zonën e “Ali Demit” ka furnizuar me naftë automjetin e punonjësve të OSHEE të cilët kanë shkuar pranë vendit të defektit dhe kanë bërë riparimin e përkohshëm të tij.
Por ditën e sotme defekti është rishfaqur sërish dhe këtë radhë me sa duket qytetari nuk ka mundësi të paguajë sërish naftën për automjetet OSHEE që thotë se ka dalë me fitim dhe është vlerësuar me çimin e “Bletës së Artë” nga Kryeministri Rama.
Përgjatë vitit 2015, 20 përqind e të gjiththa çështjeve gjyqësore në Gjykatën e Tiranës ishin për lidhje të paligjshme të energjisë apo vjedhje të saj. Me qindra e mijëra qytetarë u arrestuan, u burgosën, u dënuan vetëm se nuk kishin mundësi të paguanin energjinë që konsumonin. Shteti e tregoi forcën e tij me të pafuqishmit të cilët i burgosi dhe i përndoqi.
Por nuk ka marrë ende asnjë masë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë kur ai nuk i përgjigjet kontratës me qytetarin, qoftë në rastet e ndërprerjes së energjisë pa njoftim, ashtu edhe në djegien e pajisjeve elektro-shtëpiake nga lëvizjet e tensionit.
E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto OSHEE i ka dalë edhe një tjetër problem: Mungesa e naftës për automjetet me të cilët lëvizin punonjësit që duhet të riparojnë defektet. Ndoshta lekët e naftës janë bërë reklama, apo ndoshta po përdoren tashmë nga një kompani modeste që po ju heq stresin punonjësve të OSHEE. Z.Çela siç duket e heq stresin jashtë Shqipërisë.