Nga Av. Florian Bonjaku
Hetimi paraprak është faza në të cilën organi procedues verifikon ekzistencën e faktit penal, identifikon autorin e mundshëm, siguron burimet e provës dhe krijon bazën faktike mbi të cilën prokurori vendos nëse çështja duhet të pushohet apo të dërgohet për gjykim.
Për shkak të kësaj natyre, hetimi paraprak nuk mund të zhvillohet gjithmonë në kushte transparence të plotë.
Në fazat fillestare të procedimit, zbulimi i parakohshëm i veprimeve hetimore mund të sjellë zhdukjen e provave, ndikimin mbi dëshmitarët, koordinimin e deklarimeve ose dështimin e veprimeve hetimore ende të pakryera. Pikërisht për këtë arsye Kodi i Procedurës Penale njeh institutin e sekretit hetimor, të parashikuar shprehimisht në nenin 279 të Kodit të Procedurës Penale.
Megjithatë, sekreti hetimor nuk është qëllim në vetvete dhe as privilegj i prokurorisë. Ai është mjet procedural për mbrojtjen e hetimit nga rreziku konkret i komprometimit. Ky dallim është thelbësor.
Sekreti hetimor nuk është krijuar për të mbrojtur organin procedues nga avokati, por për të mbrojtur hetimin nga veprime që realisht mund ta dëmtojnë atë. Prandaj rëndësia e tij është më e madhe në fillim të hetimeve dhe zbehet gradualisht me kryerjen e veprimeve procedurale, me konsolidimin e provave dhe me rritjen e nevojës që personi nën hetim të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtën e mbrojtjes.
Në praktikën e viteve të fundit është krijuar një qasje problematike, sipas së cilës mbrojtjes i refuzohet njohja me aktet e hetimeve paraprake deri në përfundimin e tyre, me arsyetimin e përgjithshëm se aktet përbëjnë “sekret hetimor”.
Kjo praktikë, e cila fillimisht është vërejtur më shumë në procedime të Prokurorisë së Posaçme dhe më pas është reflektuar edhe në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ka krijuar një deformim të dukshëm të kuptimit të nenit 279 të Kodit të Procedurës Penale.
Kjo qasje e zhvendos institutin e sekretit nga funksioni i tij real. Në vend që sekreti të përdoret si përjashtim për akte konkrete dhe për nevoja konkrete hetimore, ai trajtohet si rregull i përgjithshëm për mbylljen e të gjithë fashikullit ndaj mbrojtjes.
Në thelb, neni 279 i Kodit te Procedurës Penale nuk është një dispozitë që i jep prokurorit një pushtet të pakufizuar për të mbyllur dosjen ndaj mbrojtjes.
Ai është dispozita që përcakton kufijtë e sekretit hetimor dhe vendos ekuilibrin ndërmjet dy interesave që bashkëjetojnë gjatë hetimeve paraprake: nga njëra anë, nevojës për të mbrojtur efektivitetin e hetimit; nga ana tjetër, të drejtës së personit nën hetim për të njohur bazën faktike të procedimit dhe për të organizuar mbrojtjen e tij.
Prandaj neni 279 i Kodit të Procedurës Penale nuk duhet lexuar si dispozitë që vendos fshehtësi absolute, por si dispozitë që pranon fshehtësi të kufizuar, të përkohshme dhe të lidhur me nevoja konkrete hetimore.
Neni 279 i Kodit të Procedurës Penale nuk e mbështet interpretimin sipas të cilit i gjithë fashikulli hetimor mund të mbahet i mbyllur deri në përfundim të hetimeve.
Dispozita parashikon se aktet hetimore janë sekrete derisa personi ndaj të cilit kryhen ato të marrë dijeni për to dhe, në rast nevoje për vazhdimin e hetimeve, prokurori mund të urdhërojë ruajtjen e sekretit për akte të veçanta deri në përfundim të hetimeve.
Vetë formulimi i normës është kufizues. Ligji nuk flet për fshehtësi të të gjithë procedimit, nuk flet për mbyllje të plotë të fashikullit dhe nuk parashikon ndalim të përgjithshëm të aksesit të mbrojtjes. Ai flet për “rast nevoje”, për “akte të veçanta” dhe për “urdhër” të prokurorit.
Këto tre elemente përcaktojnë kufijtë e ligjshëm të sekretit hetimor.
– Nevoja duhet të jetë konkrete dhe e lidhur me vazhdimin efektiv të hetimeve. — Aktet duhet të jenë të individualizuara, sepse ligji nuk autorizon mbajtjen sekret të dosjes në tërësi.
– Urdhri i prokurorit duhet të ekzistojë si akt procedural dhe, përderisa kufizon ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes, duhet të jetë i arsyetuar.
Prokurori duhet të tregojë se cili akt mbahet sekret, përse njohja me të mund të dëmtojë hetimin, për sa kohë nevojitet kufizimi dhe përse nuk mjafton një mjet më pak kufizues, si për shembull ndalimi i publikimit. Pa këtë arsyetim, sekreti hetimor kthehet në formulë të përgjithshme dhe të pakontrollueshme.
Ky interpretim përforcohet nga neni 105 i Kodit të Procedurës Penale, i cili ka rëndësi të posaçme në këtë analizë.
Dispozita parashikon se, gjatë procedimit dhe pas përfundimit të tij, cilido që ka interes mund të marrë, me shpenzimet e veta, kopje, ekstrakte ose vërtetime të akteve të veçanta apo të regjistrimeve audio ose audiovizive.
Kërkesa shqyrtohet nga prokurori për aktet e hetimit paraprak dhe nga gjykata për aktet e shqyrtimit gjyqësor. Ky formulim rrëzon idenë se gjatë hetimeve ekziston një ndalim absolut për marrjen e akteve. Ligji nuk thotë se kopjet mund të merren vetëm pas përfundimit të hetimeve. Ai thotë shprehimisht “gjatë procedimit”.
Natyrisht, neni 105 i Kodit të Procedurës Penale nuk krijon një të drejtë të pakufizuar për çdo akt, në çdo kohë dhe pa asnjë kontroll. Por ai krijon një mekanizëm procedural për kërkimin dhe marrjen e akteve të veçanta gjatë procedimit.
Po të ishte e vërtetë se aktet e hetimeve paraprake nuk mund të jepen asnjëherë deri në përfundimin e hetimeve, pika 2 e nenit 105 të Kodit të Procedurës Penale, e cila ia ngarkon prokurorit shqyrtimin e kërkesës për aktet e hetimit paraprak, do të ishte pa kuptim real.
Ligji nuk krijon procedura të panevojshme. Prandaj neni 105 i Kodit të Procedurës Penale është një argument i drejtpërdrejtë tekstual se sekreti hetimor nuk është ndalim absolut i aksesit në aktet e procedimit.
Në të njëjtën logjikë qëndron edhe neni 110 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit palët dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, të paraqesin memorie dhe kërkesa me shkrim, ndërsa organi procedues duhet të shprehet me vendim brenda afatit ligjor.
Kjo dispozitë nuk do të kishte efekt real nëse pala dhe mbrojtësi do të mbaheshin plotësisht në padije mbi materialet e procedimit deri në fund të hetimeve. E drejta për të paraqitur memorie dhe kërkesa në çdo gjendje të procedimit presupozon një minimum njohjeje me aktet dhe me drejtimin e hetimit. Përndryshe, kjo e drejtë do të mbetej formale.
Nenet 34/a dhe 34/b të Kodit e çojnë këtë argument edhe më tej. Ato i njohin personit nën hetim, të pandehurit, të arrestuarit dhe të ndaluarit të drejta konkrete procedurale, përfshirë të drejtën për t’u informuar, për t’u mbrojtur, për të pasur kohë dhe lehtësi për përgatitjen e mbrojtjes, për të paraqitur prova dhe për të kërkuar kryerjen e veprimeve që i shërbejnë mbrojtjes.
Këto të drejta nuk mund të ushtrohen në mënyrë reale nëse mbrojtja nuk njeh asnjë akt, nuk njeh drejtimin e hetimit, nuk njeh provat e administruara dhe nuk njeh veprimet e kryera. Një mbrojtje e tillë ekziston vetëm në letër.
Edhe nenet 255 dhe 256 të Kodit të Procedurës Penale dëshmojnë se Kodi nuk e njeh idenë e një hetimi plotësisht të mbyllur ndaj mbrojtjes.
Në rast arrestimi ose ndalimi, personi duhet të njihet me arsyet e kufizimit të lirisë dhe me bazën faktike të dyshimit.
Në procedurën e vleftësimit të arrestimit dhe caktimit të masës së sigurimit, mbrojtja njihet me aktet mbi të cilat prokurori mbështet kërkesën e tij.
Pra, edhe në momentin më të hershëm të procedimit, kur interesi për sekret mund të jetë më i fortë, ligji nuk e përjashton mbrojtjen nga njohja me aktet që prodhojnë pasoja ndaj lirisë personale.
Rëndësi të veçantë ka dhe neni 246 pika 6 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo dispozitë vendos një detyrim të shprehur procedural gjatë zbatimit të masës së sigurimit personal.
Informacioni dymujor duhet të përmbajë të dhëna për gjendjen e procedimit, pyetjen e të pandehurit dhe të personave të tjerë, përshkrimin e të dhënave të marra dhe duhet të shoqërohet me kopje të akteve të fashikullit.
Ky formulim është shumë domethënës, sepse tregon se ligjvënësi nuk ka konceptuar një procedim hetimor tërësisht të mbyllur, të paktën jo në rastet kur ndaj personit vijon të zbatohet një masë sigurimi.
Rëndësia e nenit 246 pika 6 të Kodit të Procedurës Penale bëhet edhe më e madhe kur mbahet parasysh natyra e procedimeve ku ai zbatohet. Kjo dispozitë zbatohet në rastet kur personi ndodhet nën masa sigurimi personale të rënda, si arresti në burg ose arresti në shtëpi.
Pra, bëhet fjalë pikërisht për situata ku kufizimi i të drejtave individuale është më intensiv dhe ku, zakonisht, hetimi paraqitet nga prokuroria si më kompleks, më i rëndësishëm ose më i ndjeshëm.
Megjithatë, edhe në këto raste ligjvënësi nuk ka zgjedhur modelin e mbylljes së plotë të procedimit ndaj mbrojtjes. Përkundrazi, ai ka parashikuar informim periodik dhe shoqërim të këtij informacioni me akte të fashikullit.
Kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë për interpretimin sistematik të sekretit hetimor.
Nëse edhe në procedimet ku personi është i kufizuar rëndë në lirinë e tij, dhe ku interesi për ruajtjen e sekretit mund të jetë më i fortë, ligji kërkon qarkullim të informacionit dhe të akteve, atëherë nuk mund të pranohet lehtësisht se në procedime të tjera, më pak kufizuese dhe më pak intensive, mbrojtja duhet të mbahet në padije të plotë deri në përfundimin e hetimeve.
Neni 246 pika 6 i Kodit të Procedurës Penale tregon se vetë ligjvënësi nuk e ka konsideruar sekretin hetimor si pengesë të pakapërcyeshme për qarkullimin e kontrolluar të informacionit procedural.
Në praktikë, ky detyrim shpesh nuk zbatohet fare. Mbrojtja nuk informohet realisht çdo dy muaj për gjendjen e procedimit, nuk merr përshkrimin e veprimeve hetimore dhe nuk pajiset me kopje të akteve që ligji kërkon të shoqërojnë informacionin.
Kjo nuk është mangësi formale, por moszbatim i një detyrimi të qartë procedural.
Prokuroria nuk mund të mbështetet te neni 279 i Kodit të Procedurës Penale për të mbajtur të mbyllur fashikullin dhe njëkohësisht të mos zbatojë nenin 246 pika 6 te Kodit të Procedurës Penale, i cili kërkon informim periodik dhe akte konkrete.
Nëse çdo akt hetimor do të konsiderohej i paarritshëm deri në fund për shkak të sekretit, neni 246 pika 6 i Kodit të Procedurës Penale do të zbrazej nga përmbajtja e tij normative. Një interpretim që e bën të pazbatueshme një dispozitë tjetër të Kodit nuk mund të jetë interpretim i drejtë.
Po aq i rëndësishëm është neni 103 i Kodit të Procedurës Penale. Ky nen dallon qartë njohjen me aktin nga publikimi i tij.
Kodi nuk zgjedh modelin sipas të cilit akti nuk i jepet mbrojtjes. Ai zgjedh modelin sipas të cilit akti mund të mos publikohet.
Këtë e konfirmon edhe neni 105 pika 3 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit lëshimi i kopjeve, ekstrakteve ose vërtetimeve nuk e heq ndalimin e publikimit.
Pra, ligji njeh mundësinë që pala të marrë aktin, por të mos e publikojë atë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse tregon se ruajtja e interesit të hetimit nuk realizohet domosdoshmërisht duke mohuar aksesin e mbrojtjes, por mund të realizohet përmes ndalimit të publikimit dhe përmes sekretit të arsyetuar për akte të veçanta.
Në këtë kuptim, sekreti hetimor dhe ndalimi i publikimit nuk janë e njëjta gjë. Sekreti lidhet me njohjen e aktit.
Ndalimi i publikimit lidhet me përhapjen e tij jashtë procedimit. Kur mbrojtjes i jepet një akt, kjo nuk do të thotë se akti bëhet publik.
Për këtë arsye, argumenti se akti nuk mund t’i jepet mbrojtjes sepse mund të publikohet nuk është bindës në nivel ligjor. Për këtë situatë ligji ka parashikuar regjimin e ndalimit të publikimit, jo mbylljen absolute të fashikullit.
Pika ku deformimi i sekretit hetimor prodhon pasojën më të rëndë është neni 327 i Kodit të Procedurës Penale “përfundimi i hetimeve”.
Shpesh kritikohet afati dhjetëditor që kjo dispozitë i jep mbrojtjes pas njoftimit të përfundimit të hetimeve per te paraqitur qendrimin e saj.
Në të vërtetë, problemi nuk qëndron tek vetë afati. Neni 327 i Kodit të Procedurës Penale është konceptuar mbi një premisë të qartë sistematike: në momentin e përfundimit të hetimeve, mbrojtja nuk e sheh dosjen për herë të parë, por ka pasur mundësi të njihet gradualisht me aktet që nuk janë mbajtur sekret me urdhër të arsyetuar të prokurorit.
Vetëm mbi këtë premisë afati dhjetëditor është racional. Ai nuk është afat për t’u njohur për herë të parë me një fashikull me mijëra ose qindra mijëra faqe. Ai është afat për të përgatitur parashtresat, kundërshtimet, kërkesat për hetime shtesë dhe qëndrimin përfundimtar mbi një material që mbrojtja e ka ndjekur gjatë hetimit.
Nëse ligjvënësi do të kishte menduar se mbrojtja do të njihej për herë të parë me të gjithë dosjen vetëm në fund të hetimeve, nuk do të kishte vendosur një afat kaq të shkurtër për ushtrimin e këtyre të drejtave. Një lexim i tillë do ta bënte nenin 327 te Kodit të Procedurës Penale paradoksal dhe praktikisht të pazbatueshëm në procedime voluminoze.
Kur mbrojtjes nuk i jepet asnjë akt gjatë hetimit dhe në fund i dorëzohet e gjithë dosja, neni 327 i Kodit të Procedurës Penale humbet funksionin e tij garantues.
Ai nuk shërben më për formulimin e qëndrimit përfundimtar mbi një material të njohur, por i kërkon mbrojtjes të bëjë në dhjetë ditë atë që duhet të kishte pasur mundësi ta bënte gjatë gjithë hetimit. Kjo e kthen të drejtën e mbrojtjes në të drejtë formale dhe e vendos të pandehurin në disavantazh të qartë ndaj akuzës.
Mosnjohja e mbrojtjes me aktet nuk dëmton vetëm interesin individual të të pandehurit. Ajo dëmton edhe cilësinë e vetë hetimit.
Në një procedurë penale moderne, mbrojtja nuk është thjesht subjekt që kundërshton akuzën në fund. Ajo është pjesëmarrëse në kontrollin e ligjshmërisë dhe plotësisë së hetimit.
Mbrojtja mund të orientojë organin procedues drejt provave shfajësuese, të evidentojë mospërputhje, të kërkojë pyetjen e personave të tjerë, të kërkojë ekspertime, të paraqesë dokumente, të nxjerrë në pah pista alternative dhe të kundërshtojë veprime të paligjshme në kohën kur ato ende mund të korrigjohen. Kur kjo mundësi i hiqet, hetimi zhvillohet vetëm mbi perspektivën e akuzës.
Pikërisht këtu lind problemi i barazisë së armëve. Barazia e armëve nuk do të thotë se prokurori dhe mbrojtja kanë të njëjtat funksione. Prokurori drejton hetimin dhe ushtron ndjekjen penale, ndërsa mbrojtja mbron interesat e personit ndaj të cilit procedohet.
Megjithatë, barazia e armëve kërkon që mbrojtja të mos vendoset në disavantazh substancial ndaj akuzës. Kur prokuroria njeh, administron dhe interpreton materialin gjatë gjithë hetimit, ndërsa mbrojtja njihet me të vetëm në fund, nuk kemi më ekuilibër procedural. Kemi monopol informacioni nga organi i akuzës.
Ky monopol informacioni e largon procedurën nga modeli akuzator dhe e afron me logjikën inkuizitore.
Në modelin inkuizitor, organi që heton kontrollon informacionin, mbledh provat në mënyrë të njëanshme dhe personi i hetuar ka rol kryesisht pasiv deri në fund të procedimit.
Në modelin akuzator, përkundrazi, procedimi ndërtohet mbi kontrollin, kundërshtimin dhe pjesëmarrjen graduale të palëve. Sa më shumë kufizohet njohja e mbrojtjes me aktet, aq më shumë dobësohet karakteri kontradiktor i procedimit dhe aq më shumë procedura kthehet në një proces të kontrolluar pothuajse tërësisht nga akuza.
Standardi i nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut shkon në të njëjtin drejtim. Gjykata Evropiane ka pranuar se mund të ketë kufizime të caktuara të aksesit në materiale hetimore, por vetëm kur ato janë të domosdoshme, të arsyetuara dhe të shoqëruara me garanci procedurale.
Në çështjet Foucher kundër Francës, Rowe and Davis kundër Mbretërisë së Bashkuar, Natunen kundër Finlandës, Moiseyev kundër Rusisë dhe Matanović kundër Kroacisë, Gjykata ka theksuar se aksesi në materialet e procedimit lidhet drejtpërdrejt me barazinë e armëve dhe me përgatitjen efektive të mbrojtjes. Konventa nuk garanton të drejta teorike, por të drejta praktike dhe efektive.
Përfundimisht, neni 279 i Kodit të Procedurës Penale nuk autorizon fshehjen sistematike të të gjithë fashikullit hetimor deri në përfundim të hetimeve. Ai lejon ruajtjen e sekretit vetëm për akte të veçanta, në raste konkrete nevoje dhe me urdhër të arsyetuar të prokurorit. Interpretimi i kundërt bie në kundërshtim me nenet 34/a, 34/b, 103, 105, 110, 246 pika 6, 255, 256 dhe 327 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me parimin e procesit të rregullt ligjor.
Sekreti hetimor është i domosdoshëm për mbrojtjen e hetimit, por ai nuk mund të shërbejë si mekanizëm për të mbyllur të gjithë dosjen ndaj mbrojtjes. E drejta e mbrojtjes nuk realizohet duke i dhënë mbrojtësit fashikullin vetëm në fund. Ajo realizohet duke i krijuar mundësi reale që të ndjekë, të kuptojë dhe të kundërshtojë procedimin gjatë zhvillimit të tij. Vetëm kështu ruhet ekuilibri ndërmjet nevojave të hetimit dhe garancive të procesit të rregullt penal./ Boldnews.al













