Policia e Tiranës ka arrestuar mbrëmjen e djeshmë 8 persona, 7 prej tyre inspektorë tatimesh dhe 1 biznesmen me akuzën për evazion fiskal.
Pas një hetimi një vjeçar të kryer nga Drejtoria e Hetimit Tatimor Tiranë në bashkëpunim me Njësinë Task Forcës të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të Operacionit policor “SMILE 4” u bë i mundur që nga Seksioni për Korrupsionin pranë Drejtorise Vendore të Policisë Tiranë të bëhëj ekzekutimi i urdhërave të ndalimit të tetë shtetasve për veprat penale të “Shpërdorim i detyrës”, “Fshehje të ardhurash” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”
Në pranga kanë rënë:
1. Platon Solis, 51 vjeç, banues në Leskovik, me detyrë inspektor i verifikimit në
terren pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
2. Ajaz Shehu, 51 vjeç, banues Tiranë, me detyrë ish inspektor i verifikimit në terren pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
3. Dhimiter Veshi, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i verifikimit në terren
pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, (Neni 248 i Kodit Penal)
4. Arjan Daja, 51 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i verifikimit në terren pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
5. Saimir Kaziu, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ish inspektor i verifikimit në terren pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
6. Bajram Frangu, banuese në Tiranë, me detyrë ish inspektor i verifikimit në terren pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
7. Gentian Subashi, 38 vjeç, banuese në Tiranë, me detyrë ish inspektor i verifikimit në terren pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
8. Iliaz Fisheku, 57 vjeç, banues në Tiranë, administrator i subjekteve “Martini Petrol” dhe “Petrol Impex”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit e sipër shënuar me detyrë inspektorë të verifikimit në terren pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë gjatë periudhës kohore 2010 deri më 2015 gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale kanë favorizuar subjekte të ndryshme tregtare ndër ta dhe subjekti tregtar “Martini Petrol” me aktivitet në fushën e tregtimit të karburanteve duke e lejuar atë të kryejë aktivitet tregtar pa u rregjistruar në QKR dhe organet tatimore të cilat i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 101.805.583 lekë të reja i konsideruar evazion fiskal.
Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë sё Rrethit Gjyqёsor Tiranё për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Fshehje të ardhurash” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.
HETIMI I PROKURORISË
Prokuroria e Tiranës dhe Hetimi Tatimor kanë zbuluar një skemë mashtruese në fushën e karburanteve në vlerën mbi 1 milion dollarë, për të cilën janë nxjerrë urdhëra ndalimi për administratorin e kompanisë “M….Petrol”, si edhe për punonjës të administratës së tatimeve. Urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Tiranës janë zbatuar mbrëmjen e së enjtes nga ana e forcave të Policisë së Tiranës.
Në bazë të hetimit të përbashkët të Njësisë Task-Force të Prokurorisë dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, ka rezultuar se subjekti tregtar “M…Petrol” ka ushtruar për rreth 4 vjet aktivitet në Tiranë, në mënyrë të paliçensuar.
Nga përllogaritja që ka bërë Drejtoria e Tatimeve, subjekti tregtar, i cili ka pasur një pikë të paliçensuar karburanti në Tiranë, është shmangur nga detyrimet fiskale, si edhe nuk ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve për periudhën 2010-2014.
Shmangia nga detyrimet e subjektit tregtar është realizuar edhe me ndihmën e inspektorëve të Tatimeve, të cilët kishin për detyrë të kontrollonin zonën ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm kjo pikë karburanti. Nga hetimet ka rezultuar se disa inspektorë, të cilët kanë pasur përgjegjësi për zonën ku ushtronte aktivitetin “M…Petrol”, kanë shkuar shpesh për kontroll te subjektet e tjera private pranë karburantit, por në asnjë rast nuk e kanë evidentuar se ai funksiononte pa liçensë.
Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës nxori urdhër-ndalimi për administratorin e subjektit, si edhe për 7 inspektorë tatimorë, të cilët janë ende në detyrë dhe që kanë pasur si funksion kontrollin e zonës së karburantit të paliçensuar.