Rektorati dënoi kërcënimin që iu bë kandidatit për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, kurse rivalja e tij në këtë garë Klodeta Dibra ka akuzuar Dhori Kulen se nuk ishin të gjithë firmat e dekanëve të fakulteteve.
Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në një prenoncim për ‘Gazetën Shqiptare’ sulmoi sërish Mynyr Konin.
“Është turp që edhe ditën e fundit, ky rektor nuk diti të bëhej një herë burrë. Në mënyrë që trupa akademike të dilte kundër çdo lloj presioni, që po njollos këtë proces. Rektori, duke pasur në dorë edhe gurin, edhe arrën, bën padrejtësi në momentin e fundit. Nuk thërret një nga drejtuesit e fakulteteve të UT. Do ishte pozitive që trupa akademike të ishte e bashkuar në këtë situatë të paprecedentë.
Klodeta ka 48 orë që flet, ndërsa këta kanë frikë nga e vërteta. Është e turpshme, por rektori po tregon përse po kërkon të mbajë ende peng universitetin, për të nxjerrë mëkëmbësin e tij që t’i mbulojë pisllëqet që kanë bërë. Unë kam kërkuar debat publik me kandidatin tjetër, por kolegu Koni nuk pranon. Kjo mosdalje e tij sot ngre dyshimet e veta. Duhet të kemi integritet; stafet akademike dhe studentët, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës na kanë ardhur sinjalizime se u kanë premtuar studentëve t’i kalojnë në provime të mbartura nëse fotografojnë votën”, u shpreh kandidatja për rektore të UP Klodeta Dibra për gazetën.
Deklarata e djeshme e rektoratit që dënonte kërcënimet ndaj akademikut Mynyr Koni mbante firmën e rektorit të UT Dhori Kule, dy zv.rektorëve Ervin Demo dhe Edmond Raporti, kancelarit Robert Skënderi si dhe pesë dekanëve të fakulteteve të UT, Mynyr Koni i Shkencave të Natyrës, Shezai Rrokaj i Histori- Filologjisë, Altin Shegani i Drejtësisë, Theodhori Karaj i Shkencave Sociale dhe Sulo Hadëri i Ekonomisë.
Mynyr Koni që kandidon për rektor të UT u kërcënua nga Emiljano Shullazi sipas ish-Kryeministrit Berisha. Vet akademiku ka bërë denoncim në polici duke thënë se u kërcënua nga një person tek sheshi ‘Nënë Tereza’ duke i kërkuar që të tërhiqej nga gara për rektor, ndërsa nuk ka konfirmuar nëse personi ishte Emiljano Shullazi duke thënë se nuk e njihte.