Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar kushtet në të cilat po kryhen punimet për ndërtimin e bypass-it në aksin Sarandë–Himarë, duke ngritur shqetësime për mungesën e masave të sigurisë dhe rrezikun që, sipas saj, u kanoset qytetarëve dhe turistëve.
Përmes një reagimi të shoqëruar me video, Zhupa shprehet se në kantier mungojnë masat minimale të sigurisë, ndërsa në rrugë ka gurë të rënë, shkëmbinj që rrezikojnë të shemben, si dhe makineri që punojnë pa sinjalistikën e nevojshme.
Sipas saj, një situatë e tillë krijon rrezik të vazhdueshëm për përdoruesit e këtij aksi rrugor, i cili është ndër më të frekuentuarit në jug të vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
“Rruga e re e bypass-it në aksin Sarandë–Himarë po ndërtohet pa masat minimale të sigurisë. Gurë të rënë në rrugë, shkëmbinj që rrezikojnë të shemben në çdo moment, makineri që punojnë pa asnjë shenjë dalluese apo tabelë sinjalizuese. Kjo është mënyra se si priten qytetarët shqiptarë dhe të huaj në një nga akset më të rëndësishme të jugut”, shprehet Zhupa.
Deputetja thekson se siguria e qytetarëve dhe turistëve nuk mund të lihet në dorë të fatit, duke paralajmëruar se çdo ditë pa ndërhyrje shton rrezikun për aksidente.
“Videoja tregon realitetin. Siguria është zero”, deklaron Zhupa.














