Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, ka mohuar akuzat e SPAK për “korrupsion në zgjedhje”, duke deklaruar para Gjykatës së Posaçme se nuk ka ofruar favore apo përfitime në këmbim të votave.
Shkreli u paraqit në SPAK, ku pranoi të merrej në pyetje nga prokurori Dritan Prençi në cilësinë e të pandehurit. Para gjykatës, ai pretendoi se komunikimet e tij me banorët dhe zyrtarët vendorë kishin të bënin vetëm me zgjidhjen e problematikave të qytetarëve dhe jo me ndikimin në procesin zgjedhor.
Duke iu referuar një prej episodeve të hetimit, ku prokuroria ka evidentuar komunikime për problemet me energjinë elektrike në fshatin Stajkë, Shkreli tha se ndërhyrjet e tij ishin pjesë e detyrës si kryebashkiak.
“Unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve. Marr drejtorë të ndryshëm kur ka shqetësime të qytetarëve. Mesazhi që prokuroria thotë ‘jepi zjarr’ lidhet me organizimin e një takimi elektoral dhe jo me kërkimin e votave apo ofrimin e favoreve”, u shpreh Shkreli.
Ai deklaroi gjithashtu se kishte kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe në aktivitetet elektorale, si të Partisë Socialiste ashtu edhe të Partisë Social Demokrate, duke mohuar se kishte bërë presion apo kishte ofruar përfitime materiale.
Në lidhje me një tjetër komunikim të gjetur në telefonin e tij, “veç zjarr për Tomën”, Shkreli tha se kjo ishte një thirrje për pjesëmarrje në një miting të Tom Doshit dhe jo një përpjekje për të siguruar vota në mënyrë të paligjshme.
Kryebashkiaku socialist u vu në qendër të vëmendjes gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, pas dyshimeve se po mbështeste kandidatë të PSD-së dhe jo vetëm Partinë Socialiste. Në një takim elektoral, kryeministri Edi Rama iu drejtua publikisht me frazën: “Kristian, mos luaj me dy porta”.














