Një qytetar nga Dibra, pjesë e protestës së zhvilluar kundër qeverisë, ka ngritur shqetësimin për papunësinë, çështjen e pronave dhe vështirësitë ekonomike me të cilat, sipas tij, përballen shumë familje shqiptare.
Ai tha se ka dalë në protestë për të kërkuar të drejtat e tij dhe të qytetarëve të tjerë, duke akuzuar shtetin se po cenon pronat e trashëguara nga familjet.
“Jam pa punë dhe protestoj për pronat dhe të drejtat. Baballarët tanë e kanë blerë me flori dhe vjen shteti të na i marrë. I bëj thirrje Dibrës, Bulqizës që të marrin masa e të mblidhen, veriu duhet të vijë në protestë”, u shpreh qytetari.
Ai kritikoi edhe situatën ekonomike, duke thënë se shumë njerëz janë pa punë dhe se kostot e jetesës janë të papërballueshme.
“Oligarkët kanë shitur vendin, këtu njerëzit janë të papunë, paga 40 mijë lekë, qiraja 60 mijë lekë”, deklaroi ai.
Qytetari foli edhe për një situatë personale, duke pretenduar se është larguar nga puna nga kryetari i Bashkisë Dibër, Rrahim Spahiu, në një periudhë kur bashkëshortja e tij ishte e sëmurë.
“Kam lënë 50 mijë euro që të shpëtoja gruan, por ajo vdiq. Kur u ktheva në punë më hoqi nga puna. Vij nga një familje e të përndjekurve politikë”, tha ai.
Sipas tij, aktualisht përballet me vështirësi financiare dhe borxhe, ndërsa pretendoi se largimi nga puna ka ardhur pas një konflikti politik.
“Qiranë e paguaj 55 mijë lekë dhe jam me borxhe. Më tha se i ke dhënë votën Ismail Ukës dhe mos eja më në bashki”, deklaroi qytetari.














