Pankarta të ndryshme ironike kanë shoqëruar edhe protestën e 58-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ku qytetarët kanë vijuar të përcjellin mesazhet e tyre ndaj pushtetit dhe institucioneve.
Një prej pankartave që ka tërhequr vëmendjen lidhet me ndalimin e aktivistit Arben Kola gjatë protestës së zhvilluar sot para Parlamentit.
“Për vjedhjet e Belindës s’ka asnjë reagim, për Kolën me megafon ka menjëherë ndalim!”, shkruhet në pankartën e protestuesve.
Mesazhi i referohet ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK, ndërsa protestuesit pretendojnë se ndaj saj nuk ka pasur të njëjtin reagim si ndaj aktivistëve gjatë tubimeve qytetare.
Një tjetër mesazh i ekspozuar në shesh ishte: “Të korruptuarit në liri. Protestuesit në polici. Ky është ‘sistemi Rama’”, ndërsa në gjuhën angleze protestuesit shkruanin: “Hajdutët në pushtet janë të sigurt dhe të paprekur, ndërsa zëri i popullit zvarritet përtokë!”
Pankartat përmendnin edhe ditën e 58-të të tubimeve, me mesazhe si: “58 ditë. Qytetarët nuk dorëzohen”, “58 ditë. Çdo ditë në rrugë, çdo ditë për Shqipërinë”, si dhe “Dita 58. Ata flasin. Ne jemi këtu.”
Mesazhe të tjera të shkruara në pankarta ishin: “Mandati juaj nuk është heshtja jonë”, “Sistemi na ka dështuar”, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe institucioneve.





















