Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali mori fjalën në Kuvend duke dhënë një përgjigje ndaj atyre, që sipas saj, i kanë përmendur emrin në lidhje me qëndrimet kritike që ka mbajtur ndaj kryeministrit Edi Rama.
Ajo theksoi se ka folur para dhe gjatë protestës për nevojën për të reformuar pushtetin, për t’u vetëkorrigjuar si dhe për ta ndryshuar këtë sistem politik, që sipas saj, tani po i lë qytetarët shqiptarë të papërfaqësuar.
Ajo iu drejtua më pas Berishës me një mesazh të nënkuptuar edhe për Edi Ramën dhe PS-në.
“Kam folur për vetëpastrim, për vetërregullim, për administratën, për nevojën për të kuptuar që ky është moment historik, kam folur për më shumë përfaqësim brenda partive, për ndryshimi të sistemi zgjedhor që ka prodhuar një banalitet sot.
Njerëzit janë të papërfaqësuar dhe janë në rrugë dhe nuk ka as dehje ideologjike dhe as asgjë veçse nevojën e njerëzve për të shpalosur veten.
Kam folur për institucione shtetërore që instrumenalizohen kundër njërit dhe tjetrit, me besimin e madh që kemi mundësinë për ta ndryshuar këtë.
Dhe unë po ju bëj pyetje, por ju e keni fuqinë? Po ti Sali e ke fuqinë ta hapësh rrugën dhe ta çlirosh opozitën tënde? Të bëhesh pjesë e një ndryshimi që nuk i takon një partie por të gjithëve.
Asnjë nga sulmet e asnjë bedeli politik nuk më ndal dot te kjo, se nuk kam asgjë për të fshehur, asnjë njeri që përdor pushtetin se mendon se mund të dëmtojë politikisht, njerëzisht, familjarisht dikë, nuk do ia dalë sepse do hiqet si apendicit”, tha Spiropali.
“Eliza, pëllumbesha në botë e çudirave nuk meriton asnjë përgjigje, kjo është replika që kam”, ishte kjo përgjigjja e Berishës.
“Ajo që duhet të thuhet sot është se nuk janë ligjet dhe mënyra sesi ne e interpretojmë problemi, por është mungesa e guximit problemi kryesor që sjell edhe pasoja të tjera.
Mungesa e guximit civil, politik, dhe jo se je në opozitë dhe duhet të nxish kundërshtarin me çdo kusht, por se ke guximin që të bësh analizën e shtëpisë tënde. Unë nuk mendoj se protestuesit duhet t’i akuzojmë, t’i lincojmë, por analizën ta nisim nga vetja.
Dhe sërish po them a e ka Sali Berisha ta ndryshojë sistemin e elektoral që e mban atë në krye të një partie që e ka frikë dhe asgjë tjetër?”, tha Spiropali.














