Teksa pritet që të nisë protesta e 54-të para Kuvendit të Shqipërisë, Policia e Shtetit ka bllokuar hyrjen drejt Parlamentit nga ana e Rrugës së Elbasanit, pranë urës.
Për pasojë, qytetarëve nuk u është lejuar kalimi në këtë segment rrugor, pavarësisht përpjekjeve të disa prej tyre për të kaluar drejt zonës ku po zhvillohet protesta.
Gjatë situatës janë shënuar edhe momente tensioni, pasi disa qytetarë debatuan me efektivët e policisë, duke kundërshtuar ndalimin e kalimit. Policia ka vijuar të mbajë të bllokuar hyrjen, duke mos i lejuar qytetarët të kalojnë.
Protesta e sotme është e 54-ta me radhë që zhvillohet para Kuvendit, ku kërkohet dorëheqja e Ramës, ndërsa në zonë vijojnë të jenë të pranishme forca të shumta policore.














