Janë publikuar pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e sotme pranë mbikalimit të TEG-ut në Tiranë, ku humbën jetën dy persona.
Në videon e publikuar nga A2 CNN shihet momenti kur një kamion pompë betoni lëviz me shpejtësi, përplaset me një automjet, çan barrierat mbrojtëse të mbikalimit dhe bie në nivelin e poshtëm të aksit rrugor.
Si pasojë e aksidentit humbën jetën drejtuesi i kamionit, Mohamed Lotf, rreth 30 vjeç, dhe pasagjeri, Mohamed Ali, rreth 44 vjeç.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër të përfshirë në aksident, 28-vjeçari Roland Nuri, u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e aksidentit fatal.












