Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar Taulant Ballën se ka manipuluar publikisht lidhur me projektin e aeroportit të Vlorës, i cili pretendoi se qeveria e drejtuar nga Sali Berisha e kishte miratuar ndërtimin e tij në zonën e mbrojtur të Akërni-Nartës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zhupa deklaron se projekti i aeroportit ishte parashikuar nga qeveria Berisha me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit (KKRT) nr. 1, datë 26 shkurt 2009, por, në zonën e Levanit, pranë aksit Fier–Vlorë, dhe jo në Akërni-Nartë.
Sipas Zhupës, ishte qeveria Rama që e zhvendosi projektin në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë, duke e futur atë në konflikt me Konventën e Bernës dhe me shqetësimet e shprehura nga Parlamenti Europian për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zbatimin e standardeve mjedisore.
“Qeveria Berisha e kishte planifikuar aeroportin jashtë zonës së mbrojtur, ndërsa qeveria Rama e zhvendosi projektin në Akërni-Nartë, brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë”, deklaron Zhupa ndër të tjera.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Taulant Balla gënjeu përsëri për aeroportin e Vlorës. Qeveria Berisha nuk ka miratuar planin e aeroportit të Vlorës në zonë të mbrojtur në Akërni/Nartë por në zonën e Levanit.
Ja thashë në sy, por ai e preu videon në 26 sekonda për facebookun e tij, që të dëgjohej vetëm gënjeshtra e tij dhe ta shpërndante si “lajmin e vitit” që Berisha ja u paska lënë aeroportin e Vlorës aty dhe skemi arsye pse e kundërshtojmë ne…
E vërteta është shumë e thjeshtë: qeveria Berisha e kishte parashikuar aeroportin e Vlorës me Vendimin e KKRT nr. 1, datë 26.02.2009, “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Ajror”, por jo në Akërni/Nartë ku po ndërtohet sot.
Vendndodhja e parashikuar ishte zona e Levanit, në afërsi të aksit Fier–Vlorë. Pra, qeveria Berisha e kishte planifikuar aeroportin jashtë zonës së mbrojtur, ndërsa qeveria Rama e zhvendosi projektin në Akërni/Nartë, brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë.
Konventa e Bernës ka kërkuar në mënyrë të përsëritur pezullimin e projektit të aeroportit të Vlorës, për shkak të rrezikut serioz ndaj biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura të lagunës së Nartës.
Po ashtu, Parlamenti Europian, në rezolutat e tij për Shqipërinë, ka shprehur shqetësim të thellë për ndërtimin e aeroportit në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë dhe ka kërkuar respektimin e legjislacionit mjedisor dhe standardeve europiane.
Taulant Balla nuk mund të fshehë të vërtetën duke kërkuar fajin te Saliu!
Faktet janë publike: Berisha e parashikoi aeroportin në Levan, Rama e zhvendosi në Nartë, duke hyrë në konflikt me Konventën e Bernës dhe me vetë Parlamentin Europian.
Rama nuk fshihet dot më! Ju erdhi fundi.














