Të burgosurit shqiptarë në Angli dhe Uells kanë kryer më shumë telefonata nga burgjet se çdo kombësi tjetër, duke ngritur dyshime se një pjesë e tyre mund të vazhdojnë të drejtojnë aktivitetet kriminale edhe nga qelia.
Sipas të dhënave të Ministrisë britanike të Drejtësisë, gjatë gjashtë muajve të fundit shqiptarët kanë kryer 157,962 telefonata, ose mesatarisht rreth 900 në ditë. Ata janë gjithashtu grupi më i madh i të burgosurve të huaj në burgjet britanike, me mbi 1,200 persona.
Shifrat tregojnë se numri i telefonatave të shqiptarëve është më shumë se katër herë më i lartë se ai i polakëve dhe rumunëve, të cilët renditen pas tyre.
Ish-drejtori i burgjeve britanike, Ian Acheson, tha se këto shifra janë “jashtëzakonisht joproporcionale”, duke shtuar se nuk përjashtohet mundësia që grupet e krimit të organizuar shqiptar të vazhdojnë të koordinojnë aktivitetet e tyre përmes telefonatave nga burgjet.
Sipas Agjencisë Kombëtare Britanike kundër Krimit (NCA), grupet kriminale shqiptare kanë rol të rëndësishëm në kultivimin dhe trafikun e kanabisit në Britani, pasi vitet e fundit kanë zëvendësuar grupet vietnameze si furnizuesit kryesorë të kësaj droge.
Ndërkohë, politikani konservator Nick Timothy i bëri thirrje qeverisë britanike të publikojë statistikat e kriminalitetit sipas kombësisë së shtetasve të huaj, duke kërkuar më shumë transparencë mbi krimet e kryera në Britani.














