Policia ka reaguar zyrtarisht dhe ka ndarë detaje në lidhje me skandlin në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare janë ndaluar të dyshuara për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj (rreth 690 milionë lekë të vjetër).
Në pranga kanë rënë:
-Elisabeta Mataj, 41 vjeçe, drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës;
–Valbona Hoti Duni, 59 vjeçe, shefe e financës;
–Paola Dana, 39 vjeçe, arkëtare/llogaritare.
Sipas Policisë, tre zyrtaret dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026 nuk kanë arkëtuar në degët e Shijakut dhe Krujës shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, fond i destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmës ekonomike për qytetarët. Ato akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
“Në vijim të operacioneve për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacionin policor të koduar “Filiali”.
Në kuadër të operacionit u ndaluan shtetaset:
-E. M., 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës;
-V. D., 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës;
-P. D., 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare në filialin e Postës Shqiptare Durrës.
Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.














