Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, deklaroi se një pjesë e pikave të këmbimit valutor janë përfshirë në zinxhirin e pastrimit të parave, duke kryer transaksione të padeklaruara dhe pa respektuar rregullat ligjore.
Në një intervistë për Syri TV, Teliti tha se fenomeni ka vite që ekziston dhe se, sipas tij, institucionet përgjegjëse nuk kanë vepruar me vendosmëri.
“Një pjesë e pikave të këmbimit janë bërë palë në këtë zinxhir të madh të pastrimit të parave. Pa përfshirjen e tyre ky zinxhir vështirësohet ndjeshëm”, u shpreh ai.
Teliti vlerësoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, por i cilësoi ato të vonuara, duke shtuar se nevojitet një kontroll edhe më i fortë ndaj subjekteve që shkelin legjislacionin.
Ai argumentoi se forcimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros nuk pasqyrojnë një ekonomi më të fortë, por, sipas tij, kanë dëmtuar eksportuesit, prodhuesit dhe familjet që jetojnë me remitanca.
“Është absurde të krenohemi me një monedhë të fortë, ndërsa ekonomia shqiptare mbetet ndër më të dobëtat në Europë. Ky fenomen e dëmton rëndë ekonominë, eksportuesit dhe prodhuesit”, tha Teliti.
Në vijim, ai akuzoi mazhorancën se po pengon transparencën duke refuzuar ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për përdorimin e parave të pista në sektorë si ndërtimi dhe turizmi.
“Në momentin që mazhoranca refuzon komisionet hetimore, është një tregues se dëshiron të fshehë diçka ose të mbrojë përgjegjësit”, deklaroi ai.














