Organizatorët e protestave kanë njoftuar se tubimi i radhës masiv do të zhvillohet më 23 korrik, duke nisur në orën 08:30 të mëngjesit.
Përmes pankartave të shfaqura në protestën e kësaj mbrëmjeje, ata bënë të ditur se qytetarët do të mblidhen fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kuvendit të Shqipërisë, duke theksuar se protesta do të jetë paqësore.

Një tjetër pankartë paraqiste edhe një “sondazh” simbolik, ku shtrohej pyetja nëse protesta masive e ardhshme duhet të zhvillohet në mëngjes, e shoqëruar me simbolet “like” dhe “dislike”.
Në fund të saj shkruhej: “Vetëm 1 ditë për të provuar efektin”, duke lënë të kuptohet se ndryshimi i orarit do të testohet në këtë organizim.
Me këtë njoftim, organizatorët synojnë të mobilizojnë qytetarët për një protestë që këtë herë do të zhvillohet në orët e para të ditës, me marshimin që pritet të përfundojë para Parlamentit.














