Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të Edi Ramës lidhur mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri.
Bardhi akuzon Ramën se po përpiqet të manipulojë opinionin publik, ndërsa sipas tij, eurodeputetët europianë kanë mbështetur amendamentet e opozitës që lidhen me korrupsionin, drejtësinë dhe përdorimin e burimeve shtetërore.
“Dikush ta njoftojë Edi Ramën se eurodeputetët në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri miratuan të gjitha amendamentet e opozitës, të cilat PS i refuzoi” , shkruan Bardhi.
Bardhi ka ironizuar kryeministrin duke thënë se “gënjeshtrat e tij nuk i beson as vetë”.
Reagimi i Gazment Bardhit:
VLERËSIMI: ★✩✩✩✩
Kaq përgjigje meriton, se të ka dalë boja fare! Vështirë të të marrësh seriozisht. Kushdo në Parlamentin Europian të shihte si Klloun të korruptuar dhe zar të krimit të organizuar!
Gënjeshtrat e tua nuk i beson as vetë.
Po! Rruga që ke marrë është e pandalshme. Ti dhe Rilindja do të përfundoni në koshin e plehrave të historisë!
Sqarim për qytetarët:
Dikush ta njoftojë Edi Ramën se eurodeputetët në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri miratuan të gjitha amendamentet e opozitës, të cilat PS i refuzoi.
Amendamentet e miratuara kërkonin:
* ndalimin e blerjes së votës, patronazhimit dhe keqpërdorimit të burimeve shtetërore;
* rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
* respektimin e standardeve europiane për imunitetin parlamentar;
* mbrojtjen e pavarësisë së SPAK-ut dhe të drejtësisë;
* transparencë për PPP-të, koncesionet dhe investimet strategjike;
* mbrojtjen e pronës, zonave të mbrojtura dhe lirisë së medias.
Një lojë me letra bixhozi në një lokal të Strasburgut mund të jetë e vetmja dorë që fitoi delegacioni i PS-së. Sepse në tavolinën politike të Europës, eurodeputetët u bashkuan me opozitën për të miratuar amendamente që denoncojnë pikërisht modelin e qeverisjes së Edi Ramës: blerjen e votës, patronazhimin, korrupsionin, kapjen e shtetit, cenimin e pavarësisë së drejtësisë, PPP-të, koncesionet dhe investimet strategjike.














