Lëvizja VLEN ka kërkuar shpjegime zyrtare nga autoritetet shqiptare pas ndalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës të tre përfaqësuesve të saj.
Sipas deklaratës së VLEN, koordinatori i Grupit Parlamentar Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Hasim Murtezani janë mbajtur për rreth një orë në kufi, pa iu komunikuar një arsye zyrtare për ndalimin.
Subjekti politik deklaron se tre zyrtarët ishin të pajisur me pasaporta diplomatike dhe se nga policia kufitare u është bërë me dije jozyrtarisht se ndaj tyre ekzistonte një ndalesë hyrjeje në Shqipëri. Megjithatë, sipas VLEN, nuk u është paraqitur asnjë dokument apo vendim ligjor që të justifikonte masën.
VLEN kërkon që autoritetet shqiptare të sqarojnë nëse ekziston një vendim i tillë, kush e ka marrë atë dhe mbi çfarë baze ligjore është vendosur ndalimi, duke kërkuar transparencë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Deklarata e VLEN:
Ndalimi pa shpjegim i tre zyrtarëve tanë kërkon përgjigje zyrtare!
Sot, në pikën kufitare Qafë Thanë, koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë pa asnjë shpjegim zyrtar, ndonëse të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike.
Sipas informacioneve të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre paska një ndalesë hyrjeje. Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur.
VLEN kërkon nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë të informojnë opinionin publik nëse ekziston vërtet një masë e tillë. Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për një veprim të tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë.
Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime.














