Aktivisti Ervin Goci deklaroi gjatë një lidhjeje live me zyrtarët e Parlamentit Evropian se qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projekti i Zvërnecit, pavarësisht protestave dhe thirrjeve të zyrtarëve të Bashkimit Evropian për respektimin e standardeve evropiane.
Gjatë fjalës së tij, Goci tha se eurodeputetja Tineke Strik kishte zhvilluar një takim me ministrin e Mjedisit, nga i cili, sipas tij, rezulton se qeveria nuk synon të ndryshojë kurs.
“Po jetojmë në një kohë historike, sepse populli shqiptar është ngritur për të drejtat e veta. Europarlamentarja Tineke Strik pati sot një takim me ministrin e Mjedisit, i cili i tha se qeveria shqiptare nuk ka në plan të tërhiqet nga projekti dhe as të zbatojë standardet evropiane, pavarësisht protestave dhe thirrjeve të zyrtarëve të Bashkimit Evropian”, u shpreh Goci.
Ai akuzoi qeverinë se e përdor integrimin evropian për qëllime propagandistike, ndërsa përmendi edhe letrën e përbashkët Rama–Vuçiç, duke pretenduar se ajo pasqyron një qasje sipas së cilës “Evropa që ata duan është një Evropë ku nuk kanë pse të japin llogari”.
Goci ngriti gjithashtu shqetësime për atë që e cilësoi mungesë transparence lidhur me projektin “The Albanian Files”, duke deklaruar se procedurat po mbahen të fshehta nga publiku. Sipas tij, në këtë publikim evidentohet edhe lidhja e drejtpërdrejtë e kryeministrit Edi Rama me arkitektët dhe oligarkët e përfshirë në projekt.
Në përfundim, aktivisti theksoi se protestat do të vijojnë, duke i cilësuar ato si një përpjekje të qytetarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të kërkuar llogaridhënie nga qeveria.
“Po jetojmë në një kohë historike, sepse populli shqiptar është ngritur për të drejtat e veta. Doja të ndaja një takim shqetësues që europarlamentarja Tineke Strik pati sot me ministrin e Mjedisit, i cili i tha se qeveria shqiptare nuk ka në plan të tërhiqet nga projekti dhe as të zbatojë standardet evropiane, pavarësisht protestave dhe thirrjeve të zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Kjo tregon se qeveria e përdor Evropën si propagandë. U thotë qytetarëve: “Pushoni, se do t’ju çojmë në Evropë”. Dua të përmend edhe letrën Rama–Vuçiç, në të cilën thuhej se Evropa që ata duan është një Evropë ku nuk kanë pse të japin llogari.
Protesta bëhet për të drejtat tona. Një çështje tjetër është edhe “The Albanian Files”. Procedurat e këtij projekti po fshihen nga publiku. Siç shihet edhe nga libri, Rama ka lidhje të drejtpërdrejta me arkitektët. Ai ka qenë ai që ka krijuar lidhjet mes tyre dhe oligarkëve”,- u shpreh Goci nddër të tjera.














