Në një postim në rrjetet sociale deputetja, tashmë e pavarur, Marjana Koçeku ka shpërndarë një intervistë të sajën për “Financial Times”.
‘Neomalsorja’, duke folur për protestat ka deklaruar se prindërit i kanë rritur fëmijët me idenë se lumturia është përtej kufijve ndërsa protesta tregoi se shqiptarët po e shohin tokën e tyre si një vend për të jetuar.
Në postimin e saj shkruan se ka shprehur atë që ka ndjerë prej kohësh, se lufta e brezit të saj nuk është kërkimi i një vendi tjetër për të jetuar, por për të shndërruar vendin ku jeton në të jetueshëm, duke akuzuar kështu indirekt qeverinë “Rama” se e ka bërë vendin të vështirë për të jetuar.
Pjesa e artikullit dedikuar Marjana Koçekut:
“Pas shpërthimit të protestave në Tiranë , duket se punimet janë ndalur. Javën e kaluar në vend nuk ishin të dukshëm kamionë, materiale apo punëtorë ndërtimi dhe gardhi i ri ishte hequr.
Parlamenti Europian, i cili ka të drejtë fjale në kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë, në mesin e qershorit bëri thirrje për një moratorium mbi të gjitha punimet dhe lejet e reja të ndërtimit në zonat e mbrojtura të vendit dhe kërkoi që amendamenti ‘me pesë yje’ të shfuqizohet.
Për Marjana Koçekun, një ligjvënëse 25-vjeçare në Tiranë, protestat tregojnë një ndryshim në mënyrën se si të rinjtë shqiptarë e shohin vendin e tyre.
Shqipëria përjetoi emigracion masiv pas përfundimit të sundimit komunist në vitin 1991, por ky fluks po fillon të ngadalësohet. Shumë anëtarë të diasporës u kthyen gjithashtu në Tiranë për demonstratat, tha Koçeku.
“Prindërit tanë na rritën me idenë se lumturia qëndron përtej kufijve, por protestat po tregojnë se shqiptarët po e shohin tokën e tyre si një vend për të jetuar, në vend të një vendi për t’u larguar”
Jeta e Koçekut pasqyron këtë ndryshim. E rritur në një fshat malor të izoluar në veri të Shqipërisë, ku mund të shkohet vetëm me varkë, ajo u nis për në Itali për të studiuar. Por ajo u kthye në Shqipëri për të zhvilluar një projekt turizmi të qëndrueshëm në shtëpinë e familjes së saj përpara se të hynte në politikë.
Muajin e kaluar, ajo u largua nga partia qeverisëse e Ramës për shkak të projektit të vijës bregdetare të Zvërnecit, duke u bërë e vetmja deputete e pavarur në parlamentin e Shqipërisë. Që atëherë ajo ka marrë kërcënime”, shkruhet në artikull.
Prej më shumë se një muaji Shqipëria është përfshirë nga protesta masive antiqeveritare që nisën pas dhunës së ushtruar ndaj një qytetari në Zvërnec të Vlorës, pas protestave në këtë zonë kundër ndërtimeve.
Ngjarjen e pasuan protesta të mëdha, të cilat që nga fundi i majit vijojnë çdo ditë para Kryeministrisë.
Përveç protestave, ka pasur edhe eksponentë nga brenda Partisë Socialiste, që tashmë janë bashkuar me protestuesit, një ndër to është edhe deputetja Marjana Koçeku e njohur për publikun si “Neomalsorja”.














