Nga Arjan Dyrmishi
Më 7 dhe 8 korrik, krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s mblidhen në Ankara, në samitin e 36-të të Aleancës dhe të dytin që mban Turqia pas atij të Stambollit në vitin 2004. Samiti zhvillohet në një moment kur presioni mbi aleatët evropianë për të përmbushur angazhimet e marra në Samitin e Hagës (5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035) ka arritur pikën më të lartë.
Samiti i Ankarasë vjen me një axhende të qartë: deklaratat politike nuk kanë më vlerë, ajo që vlen janë investimet konkrete, industria e mbrojtjes dhe prodhimi, si dhe mbështetje e qëndrueshme për Ukrainën.
Për Shqipërinë, ky samit mbart një peshë të veçantë dhe, siç po rezulton, edhe një rrezik të papritur. Vendimi unanim i marrë në Samitin e Hagës në qershor 2025, që samiti i radhës i NATO-i vitit 2027 të mbahet në Tirana, i pari në historinë e Ballkanit Perëndimor, u prit në në vend si simbol i kurorëzimit të rrugëtimit euroatlantik. Qeveria ngriti në dhjetor 2025 një Task-Forcë Kombëtare të kryesuar nga Kryeministri për përgatitjen e samitit, ndërsa baza ajrore e Kuçovës dhe negociatat për bazën detare në Porto Romano paraqiteshin si dëshmi të rolit strategjik në rritje të vendit brenda Aleancës.
Sinjali shqetësues nga drafti i komunikatës
Ditët e fundit para samitit të Ankarasë, media ndërkombëtare njoftoi një zhvillim që në Tiranë duhet lexuar me kujdes: drafti i komunikatës së samitit nuk përmban asnjë referencë për Shqipërinë si vendi pritës i takimit të radhës. Kjo përbën shmangie nga praktika e konsoliduar e Aleancës, ku deklaratat e samiteve konfirmojnë rregullisht vendin pritës të takimit pasardhës, siç ndodhi pikërisht në Hagë, ku deklarata shprehej qartë për Turqinë në 2026 dhe më pas për Shqipërinë.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, arsyet janë dy: kundërshtimi brenda administratës amerikane, i shprehur publikisht me gjuhën e ashpër të “përfituesve falas” të sigurisë, dhe shqetësimi i disa prej aleatëve se shpenzimet e mbrojtjes së Shqipërisë nuk kanë treguar progres të besueshëm drejt trajektores së rënë dakord në Hagë. Qeveria e Shqipërisë u përgjigj duke njoftuar për masa fiskale të përshpejtuara me qëllim për t’i shpënë shpenzimet e mbrojtjes dhe ato të lidhura me mbrojtjen për vitin 2026 në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas metodologjisë së NATO-s, 2.2% shpenzim bazë mbrojtjeje dhe 0.4% shpenzime të tjera sigurie.
Hendeku mes konceptit dhe sistemit
Ky episod nuk duhet parë si aksident diplomatik, por si shprehje e një problemi strukturor të identifikuar prej kohësh: hendeku mes pranimit formal të koncepteve dhe zbatimit të tyrë në mnëyrë sistemike dhe të qëndrueshme. Shqipëria shënon rezultate maksimale në integrimin aleatik, anëtarësi aktive që nga viti 2009, kontribute të vazhdueshme në misione, infrastrukturë e re e NATO-s në territorin e saj. Por pikërisht në përputhjen mes angazhimeve financiare dhe realizimit të tyre qëndron edhe dallimi më i madh mes fjalëve dhe veprave.
Mjedisi i Aleancës pas samitit të Hagës po e ridimensionon raportin mes integrimit si akt simbolik dhe angazhimit konkret. Pritja e një samiti është shprehja më e lartë e njohjes si anëtar i Aleancës, por Aleanca po e kushtëzon tashmë këtë njohje me performancën buxhetore. Një shtet anëtar nuk mund të presë me besueshmëri samitin e Aleancës, axhenda qendrore e të cilit është realizimi i zotimit 5%, ndërkohë që vetë mbetet dukshëm prapa realizimit të zotimit. Ky është mësimi i pakëndshëm, por i qartë, i javëve të fundit.
A do të mbahet samiti në Tiranë?
Mbajtja e samitit në Tiranë vazhdon të mbetet skenari i mundshëm, por jo më i garantuar. Në favor të mbajtjes së samitit në Tiranësanojnë disa faktorë: vendimi i Hagës ishte unanim dhe mos mbajtja e zotimeve të samitit do të ishte kosto për reputacionin e vetë Aleancës, veçanërisht ndaj mesazhit që NATO dëshiron t’i japë Ballkanit Perëndimor. Miratimi i Aktit Normativ më 30 qershor e ka kthyer trajektoren 2.6% nga premtim në angazhim buxhetor formal, duke u dhënë aleatëve një bazë të verifikueshme; ndërsa Kuçova dhe Porto Romano përbëjnë asete të prekshme. Një diplomat evropian i cituar nga Reuters u shpreh se beson ende që samiti i radhës do të mbahet në Shqipëri. Një diplomat evropian i cituar nga Reuters u shpreh se beson ende që samiti i radhës do të mbahet në Shqipëri.
Kundër peshon një variabël më i madh se vetë Shqipëria: qëndrimi i administratës amerikane ndaj formatit të samiteve vjetore në përgjithësi. Raportime të mëparshme sugjerojnë se NATO po shqyrton braktisjen e praktikës së samiteve vjetore, dhe nëse nuk ka samit në vitin 2027, çështja e Tiranës humbet kuptimin në mënyrën më të pafavorshme të mundshme për vendin.
Tri zhvillime do të tregojnë drejtimin në javët në vijim: nëse komunikata përfundimtare e Ankara-s e rikthen apo e lë jashtë referencën për Shqipërinë; nëse alokimi i ri buxhetor njihet dhe llogaritet si i tillë sipas metodologjisë së shpenzimeve të NATO-s dhe, mbi të gjitha, nëse ekzekutohet realisht brenda vitit fiskal; dhe nëse retorika e Uashingtonit ndaj “përfituesve falas” të sigurisë e përmend sërish Shqipërinë edhe pas miratimit të Aktit Normativ.
Mësimi për politikëbërjen shqiptare
Pavarësisht rezultatit përfundimtar, mësimi për Tiranën është i qartë dhe tejkalon çështjen e samitit. Integrimi euroatlantik nuk matet më me nënshkrime dokumentesh, deklarata solemne apo ceremoni. Ai matet me buxhete të miratuara, kapacitete të ndërtuara dhe sisteme funksionale. Hendeku mes ambicies strategjike dhe realizimit institucional, që deri dje mund të trajtohej si sfidë zhvillimore e brendshme, tashmë ka kosto të menjëhershme diplomatike. Në mjedisin e ri të Aleancës, besueshmëria është monedha e vetme që pranohet, e cila fitohet vetëm përmes angazhimit konkret dhe zbatimit të koncepteve të Aleancës.









