Pas prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, i cili ngriti shqetësimin për hetimet problematike të oficerëve të policisë gjyqësore, ish-prokurorë dhe avokatë thonë se kjo problematikë qëndron.
Sipas tyre, në shumë raste operatorët e policisë gjyqësorë bëjnë sekserin e prokuroreve.
Avokati Alban Duraj thotë se problematika nuk lidhet vetëm me mangësitë profesionale, por edhe me raste të dyshuara korrupsioni, ku oficerët e policisë gjyqësore kanë shërbyer si ndërmjetës mes prokurorëve dhe palëve të interesuara.
“Kryerja e shkeljeve të tjera, si në shumë raste që ne kemi parë, pra kryerja e veprave penale, siç mund të jetë korrupsioni pasiv, ku në shumë çështje oficerët e policisë gjyqësore kanë dalë si sekserë të prokurorëve për mbylljen e çështjeve, edhe pse prokurorët në shumicën e rasteve nuk kanë marrë një dënim apo nuk janë dënuar, është ndërprerë hetimi te oficeri i policisë gjyqësore”, u shpreh Duraj.
Sipas tij, një tjetër shkak që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e hetimeve është mbingarkesa e oficerëve të policisë gjyqësore, si dhe mungesa e burimeve njerëzore dhe logjistike.
“Hetimet janë difektoze për shkak të një ngarkese shumë të madhe që kanë oficerët e policisë gjyqësore, të cilët kanë një numër të reduktuar të stafit të tyre. Gjithashtu, mungon infrastruktura, pasi kemi një infrastrukturë që lë shumë për të dëshiruar, si për sa i përket godinave ku ata ndodhen, ashtu edhe pajisjeve, teknologjisë, si kompjuterët apo mjetet e tjera ndihmëse”, deklaroi ai.
Edhe pse vetë Prokurori i Përgjithshëm ka pranuar publikisht se hetimet e kryera nga OPGJ-të paraqesin probleme serioze, deri më tani nuk është bërë publik asnjë plan masash apo ndërhyrje konkrete për të adresuar këto shqetësime.













