Organizata ndërkombëtare për lirinë e medias, Reporters Without Borders (RSF), ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të ndërmarrin hapa konkretë për dekriminalizimin e plotë të veprave penale të shpifjes dhe fyerjes, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, në një kohë kur Shqipëria po synon anëtarësimin në BE.
Gjatë një misioni për lirinë e medias në Tiranë, të zhvilluar nga 17 deri më 19 qershor, përfaqësuesit e RSF-së dëshmuan para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat, të drejtuar nga deputetja e opozitës Jorida Tabaku.
Ata zhvilluan gjithashtu takime me ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, si dhe me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.
Drejtori i zyrës së RSF-së për Evropën Qendrore dhe Ballkanin, Pavol Szalai, vizitoi Tiranën pasi Shqipëria ra me tre vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2026, duke u renditur e 83-ta nga 180 vende.
Sipas RSF-së, pavarësisht krijimit të Platformës për Dialog me Median, një mekanizëm i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, progresi ka qenë i kufizuar dhe gazetarët shqiptarë vijojnë të përballen me presione nga politika, pronarët e mediave dhe krimi i organizuar.
“Besimi mes gazetarëve dhe institucioneve është ende i brishtë. Ai është dëmtuar pasi Kuvendi miratoi vetëm një dekriminalizim të pjesshëm të shpifjes, në kundërshtim me dakordësinë e arritur në Platformë”, deklaroi Szalai.
Sipas organizatës, reforma e Kodit Penal e miratuar në janar 2026 hoqi përgjegjësinë penale vetëm për shpifjen dhe vetëm për gazetarët e konsideruar “të regjistruar dhe të njohur”, ndonëse në Shqipëri nuk ekziston një sistem zyrtar regjistrimi për gazetarët.
RSF vëren se ligji nuk mbulon burimet e gazetarëve apo sinjalizuesit (whistleblower-at), ndërsa paditë e tipit SLAPP dhe rastet e shpifjes online mbeten problematike.
Organizata ngriti shqetësime edhe për sigurinë e gazetarëve, duke përmendur si ende të pazbardhur vrasjen e një punonjësi të sigurisë së televizionit Top Channel në vitin 2023, si dhe shpërthimin me eksploziv në automjetin e gazetarit Sami Curri në prill të vitit 2026.
Megjithatë, RSF vlerësoi disa hapa pozitivë në drejtim të transparencës së medias. Sipas organizatës, një ligj i miratuar gjatë vitit 2026 detyron mediat audiovizive të publikojnë pronarët përfitues të tyre, duke synuar të kufizojë ndikimin e interesave politike dhe ekonomike në sektorin mediatik.
Po ashtu, 33 media shqiptare kanë aderuar në Journalism Trust Initiative, një standard ndërkombëtar për transparencën dhe etikën në gazetari, në bashkëpunim me RSF dhe Këshillin Shqiptar të Medias.
RSF thekson se përparimi në fushën e lirisë së medias mbetet një kusht i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe u bën thirrje institucioneve shqiptare të ndërmarrin reforma më të thella për të garantuar pavarësinë dhe sigurinë e gazetarëve.













