Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka vërtetuar edhe njëherë se është një servil i Edi Ramës, që sulet ta mbrojë, sa herë që ky i fundit zihet ngushtë.
Në ditën e 22 të protestës, ku mijëra qytetarë nga e gjithë bota u mblodhën në Tiranë për largimin e Ramës, thirrjes së këtyre të fundit u janë bashkuar edhe shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kaq ka mjaftuar që Ministri i Brendshëm ta përdorë situatën në favor të tij. Në vend që të adresojë dhe mirëpresë shqetësimet e ngritura nga protestuesit, Lamallari ka tentuar ta shpallë Ramën si hero, duke ju kujtuar shqiptarëve të Kosovës, se ishte pikërisht Rama ai i cili kishte kërkuar publikisht njohjen e pavarësisë së Kosovës në Beograd.
Sipas Lamallarit, qytetarët që valëvisin flamurin e UÇK-së sot në protestë, duhet të kujtojnë rolin që sipas tij ka pasur Rama në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës.
Pra në një moment kur duhet të dëgjojë shqetësimet e popullit, i cili prej më shumë se tre javësh proteston në shesh, Lamallari zgjedh ti dalë në mbrojtje Ramës, duke ju lëpirë deri në përshtirosje.
Reagimi i Lamallarit:
Me targa 🇽🇰 dhe 🇲🇰, futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar!
Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues.
Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.
Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vllai-vllain.
Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.
P.S: Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët e 🇦🇱 dhe 🇽🇰 duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.













