Protesta e ditës së 21-të kundër qeverisë u shoqërua me një mesazh të fortë politik, të përmbledhur në pankartën që printe marshimin e protestuesve. “Edi Rama, jep dorëheqjen deri më 21 qershor”, ishte thirrja kryesore që udhëhiqte turmën nga qendra e Tiranës drejt Kryeministrisë.
Krahas ultimatumit për largimin e kryeministrit, në pankartë ishte vendosur edhe një paralajmërim për pasojat e mosreflektimit politik.
“Nëse ata e bëjnë të pamundur revolucionin paqësor, do ta bëjnë të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm”, thuhej në mesazhin që u përsërit më pas edhe nga disa prej folësve në tribunë.
Pjesëmarrja masive, e përforcuar nga prania e emigrantëve të ardhur nga vende të ndryshme të Europës, i dha protestës përmasa më të mëdha se javët e mëparshme.
Organizatorët deklaruan se mobilizimi do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa një pjesë e protestuesve paralajmëruan se do të qëndrojnë gjatë gjithë natës pranë Kryeministrisë.














