Pas rikthimit në seancën e Kuvendit për herë të katërt për shkak të ndërprerjeve dhe tensioneve, deputeti Taulant Balla propozoi në emër të PS mbylljen e diskutimeve, për shkak të pamundësisë së vijimit të saj dhe kalimit të saj në votim.
Seanca u shty për në orën 18:30, ku do kalohet direkt te votimi i projektligjeve, disa prej të cilëve me shumicë të cilësuar, pasi nuk bëheshin numrat, teksa opozita refuzoi të merrte pjesë.
Por si rrodhën ngjarjet në Kuvend?
“Pas një tentative si asnjëherë më parë, në pamundësi të zhvillimit të saj, propozoj ndërprerjen e diskutimeve, për bllokimin e Kuvendit dhe ligjeve. Kjo është turp i madh që bie mbi ju. Jemi për 2 ligje që janë për axhendën evropiane, për të dëgjuar ministrin e Jashtëm për integrimin e Shqipërisë në BE. Jemi në kushtet që propozoj ndërprerjen e diskutimeve, interpelancat që quhen të ekzekutuara dhe të kalojmë direkt në votim, propozoj që kjo të hidhet në votim”, tha kreu i grupit të PS, Taulant Balla.
Opozita kundërshtoi përsëri duke bllokuar Foltoren e Kuvendit, kurse Peleshi u shpreh se i kishte ftuar kryetarët e grupeve parlamentare, por ata të opozitës nuk ishin paraqitur.
“Ju ftova krerët e grupeve parlamentare, por ata të opozitës nuk erdhën. Nuk ka mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë bllokim, nuk gjej asnjë zgjidhje, ndaj zoti Balla propozon ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin direkt në votim”, tha ai mes të tjerash.
Me shumicë votash nga mazhoranca u votua me 79 vota pro dhe dy kundër për miratimin e ndërprerjes së diskutimeve dhe kalimin direkt në votim. Interpelancat u konsideruan të ezauruara dhe do kalohej direkt te votimi i projektligjeve në rend dite.
Peleshi dha edhe 5 minuta të tjera pushim para se të votohej.
Pas rikthimit në sallë, seanca nisi me një propozim të ri të kreut të grupit të PS, taulant Balla, pasi disa nga projektligjet kërkonin shumicë të cilësuar.
“Zoti kryetar i Kuvendit, për shkak se sot kemi votime me numër të cilësuar dhe për shkak të deputetëve që kërkojnë kohë për të ardhur, propozoj që votimi të rifillojë në porën 18:30”, tha Balla.
Kjo solli reagimin e fortë të deputetëve të opozitës që kërkuan llogari pse po shtyhej votimi dhe seanca.
Me 77 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim, u vendos që në orën 18:30 të votohej në seancën e Kuvendit për pikat e tjera të rendit të ditës, kryesisht projektligjet, mes tyre Amnistia Penale dhe Kodi Rrugor.













