Popullsia e Gjermanisë ka shënuar rënie vitin e kaluar për herë të parë që nga viti 2020. Zyra Federale e Statistikave njoftoi se popullsia u zvogëlua me rreth 110.000 persona ose 0,1 për qind, duke shkuar në 83.5 milionë banorë në vitin 2025.
Agjencia e lidhi këtë rënie me zgjerimin e rënies natyrore të popullsisë, ku vdekjet sërish tejkaluan lindjet, si dhe me ngadalësimin e ndjeshëm të migracionit neto, që paraqet diferencën ndërmjet njerëzve që shpërngulen në Gjermani dhe atyre që largohen nga vendi.
Sipas Zyrës së Statistikave, hendeku midis vdekjeve dhe lindjeve u zgjerua në 352.000 në vitin 2025, nga 331.000 një vit më parë. Në të njëjtën kohë, migracioni neto ra në 235.000, nga 430.000 sa ishte një vit më parë, duke bërë që Gjermania të mos ketë mjaftueshëm të ardhur të rinj për të kompensuar rënien natyrore të popullsisë.
Sipas të dhënave, popullsia e rezidentëve të huaj në Gjermani u rrit lehtë, me 39.000 persona, duke arritur në 12.4 milionë, çka përbën një nga rritjet vjetore më të dobëta në më shumë se një dekadë.
Zyra Federale e Statistikave njoftoi se grupi më i madh i shtetasve të huaj mbetën qytetarët turq (rreth 1.385 milionë), të ndjekur nga ukrainasit (rreth 1.167 milionë), sirianët (rreth 856.000), rumunët (rreth 763.000) dhe polakët (rreth 700.000).














