Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar lidhur me aksionet e fundit të SPAK, duke deklaruar se ato po nxjerrin në pah mekanizmin që, sipas tij, është ngritur nga Edi Rama për investimin e parave të drogës në sektorin e ndërtimit.
Në një postim në rrjete sociale, Këlliçi shkruan se opozita e ka denoncuar prej vitesh këtë fenomen, ndërsa akuzoi Ramën si arkitektin dhe kumbarin e kësaj skeme, duke shtuar se ai është garantuesi i saj.
Sipas deputetit demokrat, ‘Samiti i Arubës’, i cili sipas tij tashmë është dokumentuar edhe nga SPAK, përbën një nga rastet ku Rama u ka dhënë sinjale grupeve kriminale për të investuar paratë në ndërtim.
Këlliçi kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar zhvillimet e deritanishme në këtë sektor, pasi sipas tij, Edi Rama është pas çdo euro të pisët që futet në ndërtim.
“Aksionet e SPAK të ditëve të fundit po nxjerrin në pah mekanizmin që ka ngritur Edi Rama, për investimin e parave të drogës në ndërtim! Ajo që ne kemi denoncuar e kemi ngritur zërin prej vitesh. Se ai, Edi Rama është arkitekti dhe kumbari i kësaj skeme. Është garanti. Samiti i Arubës që aktualisht e ka dokumentuar dhe SPAK është një nga rastet ku Edi Rama u thotë çunave: vazhdoni punën, lekët hidhini në ndërtim!
SPAK ka detyrimin ligjor të shkojë tek kumbari. Atë presin njerëzit, atë kërkon sheshi. Atë kërkojnë shqiptarët në revoltë. Nďërkohë, unë do të ndërmarr disa nisma parlamentare, mbi këtë situatë. Prej 2 muajsh kam nisur komunikimet me instancat përgjegjëse shtetërore dhe shumë shpejt do paraqes nismat konkrete ligjore.
Kriminalizimi i këtij sektori kërkon masa konkrete. Do të propozoj ndryshime që do të pamundësojnë kompani fiktive me 1 mijë euro kapital të marrin leje ndërtimi për projekte deri në 100 milionë euro. Do angazhohem për ndryshime e garanci ligjore që të ndalojnë pastrimin e parave në ndërtim. Një komision hetimor për gjithë çka ndodhur deri tani do të shërbente për transparencë. Kjo bëhet për interes publik dhe në emër të gjithë atyre që nuk blejnë dot një shtëpi, që u duhen dekada të kenë një strehë.
Po një gjë është e njohur dhe askush nuk e vë më në dyshim. Edi Rama është pas çdo euro të pisët që futet në ndërtim! E presin ditë të vështira! Por në fillim, duhet të japë dorëheqjen. Pas çdo grupi kriminal që ka hedhur miliona euro në ndërtim është ai”,- shkruan Këlliçi.














