Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi një ditë më parë se deri më tani qytetarët shqiptarë kanë përfituar në total 84 milionë euro nga rivlerësimi i pronave me taksën e zbutur 5 për qind, nga 15 për qind që është shkalla e zakonshme e tatimit.
“Individët dhe bizneset kanë përfituar nga procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, duke ulur kostot fiskale dhe duke përfituar nga lehtësitë ligjore në fuqi,” njoftuan zyrtarisht Tatimet duke u kujdesur të theksojnë përfitimet e mëdha që po marrin qytetarët nga rivlerësimi.

Por kjo është vetëm njëra anë e së vërtetës. Kapitali zbardh sot anën tjetër të saj, atë që Tatimet nuk e tregojnë. Kush janë përfituesit më të mëdhenj nga ulja e taksave përmes ligjit të rivlerësimit?
Artur Shehu
Dy javë më parë, më 31 maj, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar miratoi kërkesën e SPAK për kontrollin e disa personave të lidhur me tokat në Zvërnec. Në vendimin e Gjykatës, mes të tjerash referohen edhe gjetjet e SPAK për transaksionet që kanë ndodhur me tokat në Zvërnec ku do të ndërtohej resorti.
Transaksioni më i madh është ai i ndodhur mes Artur Shehut dhe shoqërisë Albania Land Development
“Më datë 21.11.2025, është nënshkruar kontrata e premtim shitjes me palë premtuese shitëse shtetasin Artur Shehu dhe me palë premtuese blerëse, shoqërinë “Albania Land Development”. Pala premtuese shitëse premton të shesë pjesën ideale 17/18 që i korrespondon sipërfaqes prej 1,028,641.67 m³ e ndodhur në Zvërnec, Vlorë. Çmimi i përcaktuar është në shumën 5,500,000 Euro,” thuhet në dosjen e SPAK.
Sipas kontratës së premtimit, çmimi mesatar i shitjes së tokës ishte caktuar 5.3 euro për metër katror. Por ka një arsye pse kjo kontratë ishte vetëm kontratë premtimi dhe jo shitje. Ai është ligji i rivlerësimit, të cilin qeveria e kishte dërguar për miratim në Parlament. Ligji u miratua në 12 dhjetor nga Kuvendi, por hyri në fuqi në fund të muajit shkurt 2026.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, kjo kontratë premtim shitje mes zotit Shehu dhe kompanisë Albania Land Development u shndërrua në kontratë shitje. Por çmimet ishin shumë ndryshe.
“Pranë zyrës së noteres Amela Mukaj, është marrë një kopje e njehsuar me origjinalin e kontratës e datës 24.04.2026. Pasuria me nr. 1/1, në sipërfaqen 1,028,641.67 m² i shitet shoqërisë “Albania Land Development” në vlerën 122 milionë euro,” thuhet në dosjen e SPAK.

Cmimi i premtimit dhe ai i shitjes
Pra e njëjta tokë, e cila në kontratën e premtim shitjes së nëntorit 2025 ishte premtuar të shitej me 5.5 milionë euro u shit me 122 milionë euro në prill të 2026-ës. Arsyeja ishte se toka u rivlerësua për të ulur tatimin që duhet të paguante shitësi. Sipas dosjes së SPAK, toka në fjalë figuronte me çmim blerje rreth 2.5 euro për metër katrorë.
Pa ligjin e rivlerësimit për shitjen e kësaj prone zoti Shehu duhet të paguante 18 milionë euro taksa në shtet. Por me rivlerësimin e saj ai ka paguar maksimalisht 6 milionë euro duke përfituar kështu 12 milionë euro nga ulja e taksave.
Familja Sulaj
Sipas dosjes së SPAK,një tjetër familje që zotëronte sipërfaqe të mëdha toke në zonën e Zvërnecit ishte familja Sulaj. Në datën 21 nëntor 2025, rezulton se kjo familje ka bërë dy kontrata premtim shitje me shoqërinë Albania Land Development me çmimin 150 mijë euro secila ose 300 mijë euro në total.
Por në 24 maj 2026 këto kontrata premtimi u shndërruan në kontrata shitje dhe çmim u rrit deri në 70 herë. Sipas SPAK, familja e Ferdinant Sulajt e shiti tokën tek Albania Land Development për një vlerë prej 19 milionë eurosh, nga 300 mijë euro që ishte caktuar çmimi në kontratën e premtimit.
Përmes rivlerësimit rezulton se familja Sulaj ka përfituar mbi 1.8 milionë euro nga ulja e taksave.
South Adriatic Development
South Adriatic Development është një kompani e themeluar në tetor të vitit 2021 nga dy ortakë. Ato ishin kompanitë Smart Construction Invest dhe Peninsula Development, të cilat fillimisht zotëronin nga 50 për qind të kuotave të shoqërisë South Adriatic Development.
Smart Construction Invest zotërohet nga Redi Struga, ndërsa Peninsula Develompment zotërohet nga një shtetas Andi Canaj. Në atë kohë zoti Canaj ka qenë i punësuar në kompaninë A.G TTC të zotëruar nga biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet socialist dhe bashkëshort i ish ministres së Jashtme dhe të Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Zoti Canaj ka qenë person kyç në disa nga kompanitë e zotit Gaçi, ndër vite.
Por pas themelimit tetor të vitit 2021, pronësia e South Adriatic Development pëson ndryshime përmes disa transaksioneve që ngrenë jo pak pikëpyetje. Fillimisht më maj të vitit 2022, Andi Canaj i shet Redi Strugës 10 për qind të kuotave për vlerën 50 euro, duke e çuar strukturën e re të pronësisë së South Adriatic Development në 60 për qind për Strugën dhe 40 për qind për Canajn.

Shitja e South Adriatic
Një muaj më pas, në qershor të vitit 2022, zoti Canaj shet dhe 40 për qindëshin tjetër të kuotave tek Struga duke dalë fare nga kompani, për një çmim prej 2 milionë lekësh ose rreth 20 mijë euro. Por ky ishte një transaksion i çuditshëm. Arsyeja qëndron sërish tek tokat e Zvërnecit.
Sipas dosjes së SPAK, kompania South Adriatic Development të paktën në gusht të vitit 2022, zotëronte 1 milionë e 225 mijë metër katrorë tokë në Zvërnec, që shtrihej në kufi me pronën e Artur Shehut.
Madje, për këtë arsye në 4 gusht kjo kompani dhe zoti Shehu kanë bërë një kontratë sipërmarrje për të bashkuar dy pronat e tyre, të cilat në total shkon në mbi 2.2 milionë metra katror, me qëllim që të rritej vlera e përbashkët në funksion të zhvillimit.

Kontrata e Sipermarrjes e vitit 2022
Nuk dihen nëse South Adriatic Development ka qenë pronare e 1.2 milionë metrave katrorë para se kuotat e saj të shiteshin nga Canaj tek Struga, pasi SPAK nuk e sqaron këtë në dosje dhe kompania nuk ka bilanc të depozituar para vitit 2022. Megjithatë kontrata e sipërmarrjes e vitit 2022, mes South Adriatic Development dhe Artur Shehut nuk u realizua asnjëherë.
Ajo që ndodhi ishte shitja e pronave tek Albania Land Development. Sipas SPAK, në dhjetor të vitit të kaluar South Adriatic Develompent nënshkroi një kontratë premtim shitje për të shitur tokën e saj në Zvërnec tek kompania Albania Land Devlopment për çmimin 6.4 milionë euro.
Por pas rivlerësimit cmimi i shitjes edhe këtu u shumëfishua. Kontrata e premtimit u shndërrua në kontratë faktike shitje në 21 prill 2026.
Në datën 21.04.2026, me kontratën e datës 21.04.2026, “South Adriatic Development” i shet shoqërisë “Albania Land Development” një pasuri të paluajtshme në vijim të kontratës premtim shitje të datës 09.12.2025. Çmimi i shitjes është 70.289.000 euro,” thuhet në dosjen e SPAK.
Përmes rivlerësimit, South Adriatic përfitoi rreth 6.4 milionë euro ulje taksash, pasi me shkallën 15 për qind të taksës do të duhet të paguante 10.5 mln euro taksa, ndërkohë që ka paguar më pak se 4 milionë euro.
Pra vetëm tre subjekte kanë përfituar në total 18 milionë euro ulje taksash ose mbi 21 për qind të shumës së totale që Tatimet thonë se ka përfituar gjithë Shqipëria. Këta ishin përfituesit më të mëdhenj të ligjit të rivlerësimit dhe bashkë me këta edhe ndërtuesit e resorteve në bregdet./Kapitali.al














