Mijëra qytetarë iu bashkuan edhe ditën e sotme protestës para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar një traditë që tashmë është kthyer në rutinë prej 15 ditësh radhazi.
Gjatë marshimit nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe figurave kryesore politike të vendit. Protestuesit brohoritën vazhdimisht “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Revolucion”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës politike në vend.
Organizatorët kanë njoftuar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur në kërkesën për largimin e qeverisë dhe mbajtjen e përgjegjësive politike.














