Mijëra shqiptarë janë mbledhur në Bruksel, pranë institucioneve të Bashkimit Europian, për të protestuar në mbështetje të demonstratave anti-qeveritare që po zhvillohen në Tiranë.
Në shesh u panë të rritur e fëmijë me flamuj kuq e zi dhe pankarta të shumta, duke shprehur zemërimin e tyre ndaj qeverisë dhe duke kërkuar transparencë mbi projektet e mëdha ekonomike.
Atmosfera ishte e ngarkuar, por e organizuar, me thirrje për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Protestat nuk janë kufizuar vetëm në Shqipëri. Përveç Tiranës dhe qyteteve të tjera, demonstrata të ngjashme janë shpërthyer edhe në vende ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët në Europë e më gjerë.
Në Londër, prej dy ditësh, dhjetëra shqiptarë janë mbledhur para Ambasadës shqiptare me moton “Shqipëria nuk është në shitje”, duke e kthyer kauzën në një lëvizje mbarëkombëtare.














