Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës së një të riu ka ndodhur pasditen e kësaj të marte në Tiranë, në zonën e Yrshekut.
Sipas informacionit paraprak, ngjarja është regjistruar rreth orës 15:00 në rrugën “Gryka e Kaçanikut”, ku një automjet i drejtuar nga shtetasi me iniciale A. M., rreth 52 vjeç, është përplasur me një motomjet.
Për pasojë, drejtuesi i motorit, shtetasi D. G., 21 vjeç, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra nga përplasja.
Pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.














