Rruga “Ali Demi”, në Tiranë, është kthyer pasditen e kësaj të enjte, në makth për drejtuesit e automjeteve dhe banorët e zonës.
Sipas disa pamjeve të mbërritura në redaksinë e Boldnews.al, shihet se betonieret dhe kamionët e tonazhit të rëndë janë rikthyer sërish në qarkullim në mes të ditës, duke bllokuar rrugën dhe duke shkaktuar kaos në një nga lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit.

Edhe pse nga viti 2022, Bashkia e Tiranës, vendosi kufizim në qarkullimin e betoniereve, duke caktuar një fashë orare nga ora 8:00-20:00, këto të fundit duket se janë rikthyer sërish në qarkullim gjatë ditës.
Sipas raportimeve, levizja e betoniereve është shtuar ndjeshëm së fundmi në Ali Dem, ndërsa vlen të theksohet se po në këtë zonë ndodhet dhe Komisariati numër 1 i Policisë, i cili duket se “mbyll sytë” para korrupsionit të oligarkëve të betonit.
Teksa betonieret dhe kamionët zaptojnë rrugët pa respektuar oraret, policia duket më e angazhuar në vendosjen e gjobave në rrugicat e lagjes, sesa në ndalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë të cilat po shkaktojnë kaos në lagjet e Tiranës.
Vlen të theksohet po ashtu se qarkullimi i betonierëve dhe kamionëve në zonat e banuara të Tiranës ka qenë një problem i vazhdueshëm, ndërsa, mungesa e reagimit nga autoritetet, shton bindjen se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë. Megjithatë, nuk dihet se kush po i rikthen sërish betonieret dhe kamionët në Tiranë, duke i bërë karshillëk shtetit dhe bllokuar rrugët e duke rënduar qarkullimin e përditshëm.














