Nga Boldnews.al
Të mësuar me gjuhë pa fre, deri në shthurje dhe papërgjeshmëri, elita politike në pushtet nuk i shpëton gafave, qëndrimeve të pamenduara, apo deklaratave të papërshtatshme, por në fund gjithnjë justifikohen: “na nxorren nga konteksti”. Më i fundit “i dalë nga konteksti” është Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Në një intervistë për Euractiv, kryediplomati shqiptar u pyet në lidhje me zgjatjen e marrëveshjes Rama-Meloni për kampet e emigrantëve në Gjadër të Lezhës. Krejtësisht i kthjellët në fjalinë e tij, Hoxha tha: “Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian.”
“Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogaritje”, tha Hoxha, duke iu referuar afatit kohor të anëtarësimit që synon Shqipëria deri në vitin 2030. “Sapo Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk është më ekstraterritoriale, është territor i Bashkimit Evropian”, tha ai.
Zhurmë e madhe. Ministri nxitoi të përgënjështronte veten. “Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive“, shkruan Hoxha. Pas tij edhe Rama, ose më saktë ministri nxitoi që Rama të nxitonte…
“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, që po kontaktojnë lidhur me një citim të pasaktë të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Më lejoni ta ritheksoj qartë, dhe shpresoj përfundimisht, se protokolli ynë me Italinë do të vazhdojë të jetë në fuqi, për aq kohë sa Italia e dëshiron atë”, shkruajti Rama në platformën X.
Përtej rastit të fundit, nuk është i vetmi dhe nuk do të jetë për aq kohë sa çdo qëndrim që duhet të jetë institucional, kthehet në fjalë qebaptoresh, që shpesh shkojnë përshtat edhe me veshje çitjanesh dhe atlete të bardha. Por nëse në vendin tonë fajin ia vendos “kazanit mediatik”, për nxjerrjen nga konteksti, në fakt gafat e Ramës janë aq të shumta sa edhe vendet e BE-së po e kuptojnë se nuk duhet marrë seriozisht.
Pak javë më parë, në një delir, pa kuptim dhe fjali po krye e fund tha se: “Grekët nuk janë pasardhës të Platonit”. Një qëndrim që solli reagim në Greqi, madje edhe nga kryeministri Mitsotakis që gati sa nuk deklaroi se Rama “nuk duhet marrë seriozisht”.
Ai tha gjithashtu se u nxorr nga konteksti kur tha se McGonigal ishte miku i tij dhe kur lexoi dosjen hetimore në Amerikë, e ktheu përbys fjalinë, duke u përpëlitur se edhe ai qëndrim ishte nxjerrë nga konteksti. Nga kontaksti i kanë dalë edhe shumë ministra, apo ish-drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
Thjesht mendja jo funsionale në çaste të caktuara (ose çaste të gjata të pafundme), i xjerrin në kontekstin e vërtetë që ata kanë, duke mos u mbuluar me dakleratat “na nxorrën nga konteksti”!














