Policia ka dhënë detaje mbi ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në fshatin Gurëz të Kurbinit, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar i identifikuar si Akil Tahiri.
Sipas njoftimit është identifikuar autori i dyshuar ndërsa janë shpallur në kërkim dy shtetas.
Në kërkim janë shpallur Fation Cobelita (alias Fation Staka) dhe Renato Marku, ndërsa ndaj një shtetasi tjetër është nisur procedim për moskallëzim krimi, si dhe ndaj një mjeku roje për shpërdorim detyre dhe mosnjoftim të policisë.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur për motive të dobëta dhe ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit ndaj 35-vjeçarit, i cili është transportuar fillimisht në spitalin e Laçit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës.














